Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 10:15

Vlorë – Sezoni veror ka shtuar numrin e lexuesve dhe të anëtarëve të rregullt të bibliotekës publike “Shevqet Musaraj”, në qytetin e Vlorës.

Drejtori i këtij institucioni, Çlirim Hoxha, thotë për ATSH-në se numri i përgjithshëm i anëtarëve të rregullt ka arritur në rreth 2800 lexues, ndërkohë që janë mbi 4000 qytetarë që frekuentojnë mjediset e saj dhe shfrytëzojnë rregullisht literaturën që ofrohet.

“Frekuentuesit e këtij institucioni, janë qytetarë të kategorive dhe profesioneve të ndryshme, të cilët e shohin bibliotekën si një mundësi për t’u informuar, por edhe për të kaluar kohën e lirë”, thotë Hoxha.

Në rritjen e numrit të lexuesve spikasin veçanërisht moshat e vogla, deri në 14 vjeç, për të cilët funksionon një mjedis më vete.

Aktualisht, numri i përgjthshëm i lexuesve të vegjël, që janë bërë anëtarë të bibliotekës, ka arritur në më shumë se 800, gjë që sipas Hoxhës është një shifër e lartë dhe që ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë këtij viti.

Aktualisht, biblioteka e Vlorës, e përshtatur me standarde bashkëkohore, ka një fond prej më shumë se 120 mijë tituj librash të llojeve e fushave të ndryshme, historike, shkencore, artistike, etnografike, ekonomike e mjekësore. Në mjediset e saj përfshihen salla e librit për fëmijë, ajo e konferencave, e librit politik, si dhe Këndi Amerikan i Librit me rreth 500 tituj librash të fushave të ndryshme në anglisht, i financuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë.