Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 21:30

Vlorë – Në një ditë dhjetori, mjedisi i gjelbër i Parkut Kombëtar të Llogorasë, është po aq tërheqës sa edhe në verë. Këtu në këtë atmosferë malore, maja më e lartë e të cilës shkon në 1050 metra, dimri është ulur këmbëkryq. Kjo reflekton edhe në ngjyrat e këtij mjedisi të rrallë natyror, të cilat përthyhen lehtë, duke krijuar një tablo të vërtetë dimri. Hapësira pyjore shtrihet në një sipërfaqe prej 1500 hektarësh, por vetëm 1080 prej tyre janë përfshirë në territorin e Parkut Kombëtar që mbrohet me ligj të veçantë. Ky mjedis, aktualisht përbën edhe një nga krenaritë e natyrës shqiptare, ku virgjëria natyrore është një term që e ndesh dhe e prek gjithandej. 
 
-Vlerat natyrore, si askund tjetër-
     
Mes pemëve dominojnë pisha e zezë dhe bredhi, që krijojnë atë harmoni drithëruese ngjyrash, që shpesh përcillet përmes kartolinave apo fotove që botohen nëpër revista, por që kurrësesi nuk kanë atë bukuri që perceptohet duke ardhur këtu. Pandeli Qesargjoni, inspektori i sektorit të pyjeve, thotë se, bashkëpunohet me të gjithë pronarët e lokaleve, për të ruajtur një mjedis të këndshëm. Kjo edhe në drejtim të administrimit të mbetjeve që krijohen nga aktiviteti i këtyre lokaleve. Ky kujdes pasqyrohet në të gjithë hapësirën, ku mbeturinat e hedhura pa kujdes tashmë mungojnë. Një numër tabelash, paralajmërojnë vizitorët për të mbajtur pastër mjedisin. Ato janë vendosur në të gjithë territorin që mund të preket nga këmba e vizitorëve, të cilët zgjedhin Parkun Kombëtar të Llogorasë për të kaluar disa orë, apo një ditë të këndshme në gjirin e natyrës, larg ritmit të përditshëm të jetës dhe të punës në qytete.
     Trokitja e dimrit është një moment tjetër, që shfrytëzohet nga të pasionuarit pas natyrës. Një borë, qoftë edhe e lehtë, është një arsye më tepër që njerëzit të vijnë këtu për të shijuar e prekur gjithçka që ofron natyra, ajrin e pastër dhe gjelbërimin, ujin e famshëm të Llogorasë, mishin e pjekur të qengjit, apo të kecit, të pakrahasueshëm me asnjë zonë tjetër të vendit. Sofoja, kuzhinieri dhe pronari i lokalit me të njëjtin emër, thotë se tashmë në këtë periudhë, fundjavat janë ato që sjellin më shumë njerëz. Tufat që mbarështohen në këtë zonë, janë përherë të gatshme për të furnizuar lokalet me qengja dhe keca. Është një marrëdhënie që nis e përfundon tek natyra, tek vlerat e saj. Ajo është e pasur këtu në Llogora. Prandaj dhe njerëzit ndihen mirë kur vijnë dhe kalojnë disa orë.
     Qesargjoni thotë se, krahas të tjerash, në mjedisin pyjor të Llogorasë rriten derrat e egër dhe sorkadhet, që përbëjnë një nga veçantitë e rralla, krahasuar më pjesë të tjera të vendit. Grupe vizitorësh, që bëjnë piknik në gërxhet e gjelbëruara të masiveve pyjore të Llogorasë, mund të ndeshin një çift sorkadhesh, që vrapojnë të trembura nga prania e njerëzve, apo një derr të egër, që i largohet me shpejtësi grykës së armës së një gjahtari. Por, këtu mund të ndeshësh edhe thëllëzën autoktone, apo ndonjë dhelpër që shfaqet ashtu, dinake, nga ndonjë shkurre e dendur. Mund të ndeshësh edhe kafshë të tjera të egra, të cilat përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme të zonës.
     Inspektori i Ndërmarrjes së Shërbimit Pyjor, thotë se pas masave të rrepta të aplikuara gjatë viteve të fundit, është arritur të bllokohet gjuetia që rrezikon speciet e rralla. E gjithë zona mbahet nën një kontroll të rreptë dhe rastet e abuzimit të gjuetarëve, ndëshkohen pa hezitim. Kjo situatë reflekton edhe në shtimin e numrit të krerëve të derrave të egër, sorkadheve etj.
 
-Toponimia historike, mjaft e pasur-
     
Teksa lëviz në mjedisin e gjelbër të Llogorasë, mund të ndeshësh edhe pika të dukshme të takimit me historinë. Diku, në pjesën lindore përgjatë një shtegu që gjarpëron drejt kreshtës së malit të Çikës, ndodhet Qafa e Qesarit. Toponimia e saj lidhet me ngjarjen e famshme të antikitetit, kur dy protagonistët e Luftës Civile në Romë në vitin 48 para Krishtit, Jul Qesari e Pompeu, zbarkuan në bregdetin e Palasës (Poshtë Qafës së Llogorasë) dhe vazhduan rrugëtimin drejt Orikut e më tej. Pikërisht, gjatë këtij inkursioni dhe në këtë vend, sipas historianëve, Qesari urdhëroi fushimin e ushtrisë së tij, e lodhur nga ngjitja e malit.
     Ndërkohë, diku më poshtë në një pllajë, është vendi ku kanë qëndruar me muaj të tërë, mijra ushtarakë austriakë robër të ushtrisë italiane të Luftës së Parë Botërore, që ndërtuan rrugën e bregdetit në vitet 1916-1918, prej të cileve 1200 humbën jetën nga kushtet e vështira. Në vendin ku janë varrosur ata, dikur ka patur një pllakë guri, e cila është zhdukur prej vitesh.