Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 11:06

Vlorë – Panairi i 12-të i Librit, që është çelur prej dy ditësh në Vlorë, është pritur me mjaft interes nga lexuesit dhe opinioni qytetar vlonjat. Pavarësisht se fushata zgjedhore është në kulmin e saj, ky aktivitet është shndërruar në një lloj epiqendre të jetës shpirtërore në Vlorë. Jo thjesht për vendin që është zgjedhur për organizimin e tij, në zonën e Skelës, pjesa më e populluar në këtë qytet, por edhe për vlerat që po gjeneron dhe perceptimin e lexuesve ndaj këtij aktiviteti.

“Është një veprimtari mjaft e bukur dhe që ka ngjallur interes tek masa e gjerë e qytetarëve”, thotë shkrimtari vlonjat Albert Abazi. Në këndvështrimin e tij Panairi i Librit është bërë pjesë e natyrshme e jetës kulturore në qytetin e Vlorës.

Në zinxhirin e aktiviteteve të shumta që zhvillohen në këtë qytet, Panairi zë një vend të veçantë, gjë që përcaktohet nga një sërë faktorësh, ku spikat etja e banorëve të këtij qyteti për librin. Është fakt se Vlora zë vendin e dytë pas kryeqytetit për raportet e krijuara mes qytetarëve dhe librit dhe që reflektohet në numrin e lartë të shitjeve në raport me popullsinë. Ky realitet i këndshëm, tregues i një niveli të lartë qytetarie, po shfaqet edhe në këtë Panair.

Qytetarë të shumtë drejtohen për tek stendat e librit. Njihen me titujt e librave të ekspozuar, me autorët, me botimet më të reja. Blejnë mjaft prej tyre për të pasuruar bibliotekat personale. Panairi është një mundësi e mirë për të zgjedhur mes larmisë së titujve dhe çmimeve më të arsyeshme, krahasuar me rrjetin e zakonshëm të tregtimit të librave.

Dritani, student në Universitetin e Vlorës, thotë se Panairi i Librit është një nga gjërat që ai shijon gjatë këtyre ditëve. “Kam shumë libra në bibliotekën time, të cilën e pasuroj në vazhdimësi. Prandaj dhe blej shumë prej tyre. Panairi është një mundësi  shumë e mirë që unë të zgjedh botime cilësore”, thekson 22 vjeçari, të cilin e tërheqin, krahas të tjerash, botimet historike, letërsia artistike, veçanërisht ajo shqiptare, librat me temë patriotike. Në fakt, kjo është një e veçantë që pranohet nga shumëkush në mjediset ku zhvillohet panairi. Emigrantët që janë kthyer për të kaluar Festën e Pashkëve në vendlindje, preferojnë botimet me këtë temë. Ndoshta edhe për arsyen se ato i mbajnë të lidhur ngushtë me vendin e tyre.

Por, ndërkohë, për pjesën më të madhe të botuesve që janë përfaqësuar në këtë aktivitet, lexuesi vlonjat nuk shfaq preferenca, apo tendenca të dallueshme mes botimeve të fushave të ndryshme. “Për mendimin tim, lexuesi në Vlorë ka një prirje konstante pothuajse të njëjtë ndaj gjinive, llojeve, temave të botimeve”, thotë Jani Malo,  botues dhe shkrimtar i njohur. Nga ana tjetër ai shprehet se gjithashtu ka një tendencë rritjeje në kurbën e interesimit për librin. Kjo, jo thjesht në nivelin e shitshmërisë, por të një marrëdhënieje, të një atmosfere që krijohet në mjediset e Panairit, e cila ndryshon nga qytetet e tjera.

Lexuesit vlonjatë janë të prirur të perceptojnë, të kërkojnë sa më shumë libra. Për ta, një botim përfaqëson një vlerë të krijuar me mund e fantazi, është një produkt i punës intelektuale që duhet të trajtuar me një përkujdesje të veçantë. Prandaj dhe e adhurojnë librin.

Çlirim Hoxha, drejtor i Bibliotekës Publike “Shevqet Muasaraj”, bashkëorganizatore e Panairit të Librit, thotë se rritja e numrit të frekuentuesve të rregullt të biblioketës, është një prirje pozitive për komunitetin e banorëve që shfaqet edhe në mjediset e këtij aktiviteti. Sipas tij, libri është bërë pjesë e pandarë e jetës së përditshme e një numri të madh qytetarësh, që vjen duke u rritur. Kjo tendencë shkon në të njëjtën kahje me dimensionet e Panairit të Librit, që ka krijuar tashmë një profil të plotë e të konsoliduar.

Në Panairin e Librit u prezantuan rreth 5000 tituj librash, prej të cilëve 600 tituj të rinj. Nisur nga ky fakt, shkrimtari vlonjat Eqerem Canaj, një nga drejtuesit e Shoqatës së Shkrimtarëve “Petro Marko”, pohon se kjo është një tendencë mjaft pozitive, që gjen terrenin e përshtatshëm në masën e lexuesve në qytetin e Vlorës. “Unë mendoj se Vlora duhet ushqyer në këtë drejtim, duhet furnizuar me botime dhe autorë të rinj. Auditori i lexuesve vlonjatë  është i etur dhe kjo etje, e ka bazën në një traditë të krijuar në dekada”, shprehet ai.

Në Panairin e 12-të të Librit në Vlorë, që organizohet nga Shoqëria e Librit Shqip dhe Bashkia e Vlorës, mbështetur edhe nga Shoqata e Shkrimtarëve të Vlorës e shoqata të tjera kulturore, numërohen rreth 40 botues me rreth 5000 tituj librash, nga të cilët 600 tituj të rinj.