Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 15:50

Vlorë – Mund të ndodhë që ato që kemi lexuar apo kemi dëgjuar nga gojëdhënat, t’i shohim të konkretizuara në realitet. Duket sikur fantazia, apo imagjinata jonë, riprodhon ngjarje, sende, apo personazhe të fiksuara në kujtesë. Kështu, gjurmë të mitologjisë, të tregimeve popullore, që kanë ardhur deri në ditët tona, kanë shpesh edhe argumentin e tyre natyror. Kjo, si një përpjekje e autorit anonim për të çuar historinë tek natyra, apo në të kundërtën, për të shfrytëzuar natyrën në formulimin e gojëdhënave historike.

Një objekt natyror, diku në bregdetin e Palasës (Himarë), duket sikur sjell dhe shfaq historinë. Ai është një shkëmb me forma të çuditshme. Është si një figurë që qëndron mbi një tjetër shkëmb të stërmadh. Një kafshë prehistorike, me këmbë të fshehura në një masë të madhe shkëmbore, me fytyrë e vështrim nga deti. Duket se nga goja gjysmë e hapur kërkon të lëshojë llava të zjarrta, si për të paralajmëruar ata që vijnë nga kushedi se ku, për të kërcënuar, apo zaptuar këtë vend. Në çdo moment, kjo “krijesë” prehistorike është në gatishmëri, është gati të hidhet drejt hapësirës detare të pamat. Ndërkohë, nën këmbët e fshehura dhe pas vetes, ka tokën të cilën “kërkon të mbrojë”.

Ajo ndodhet vetëm pak qindra metra larg Plazhit të Palasës, aty ku, sipas historisë, në vitin ’48 para Krishtit zbarkoi Jul Qezari me trupat e tij, në ndjekje të Pompeut. Por, ka edhe një përkim tjetër në këtë raport, në këtë lidhje mes historisë dhe natyrës. Ajo me emblemën mitologjike të Himarës.

Poeti i njohur popullor, Lefter Çipa, thotë se, Himara është edhe një figurë mitologjike. Në pasionin e tij për të zbuluar gjithçka rreth saj, ai është bërë edhe një studiues. Për të, çdo ngjarje, çdo dokument, çdo episod, është një gur në themelin e historisë së Himarës. Në vitin 1989, bashkë me Ansamblin “Labëria” të Vlorës ai mori pjesë në Festivalin e 17-të Folklorik Botëror, që u zhvillua në Francë. Gjatë qëndrimit 43 ditor, përmes miqve të tij në Ambasadën Shqiptare në Paris, ai mësoi se, në Enciklopedinë Franceze përfshihej edhe figura mitologjike e Himarës. Kjo figurë, sipas Çipës, paraqitet me një kokë luani, me gjoksin e dragoit, me barkun e dhisë dhe me bishtin e ujkut (!).

Poeti popullor e shtjellon qartësisht domethënien e kësaj figure mitologjike, që përfaqëson trimërinë e pahumbur të luanit, pathyeshmërinë e dragoit, pangopësinë e dhisë dhe dinakërinë dhe egërsinë e ujkut. Dhe në fakt, kjo kafshë shkëmbore, që qëndron aty buzë detit në një nga plazhet e parrahura të Palasës, ka një ngjashmëri të çuditshme me këtë figurë. Ajo është gdhendur e tillë nga shekujt, nga dallgët dhe erërat e detit.

Njerëzit i kalojnë pranë, bëjnë shpesh fotografi në “gojën” e stërmadhe të këtij “përbindëshi”. Por, askush nuk flet me siguri. Askush nuk ka shkruar për të. Vetë banorët e zonës e cilësojnë një krijim të çuditshëm të natyrës. Ndërkohë, mund të ndodhte e kundërta. Ashtu si “Guri me qiell” në malet e Çikës, që si një argument natyror me origjinë mitologjike, përdoret në krijimtarinë popullore dhe atë të sotme, edhe emblema shkëmbore e antikitetit të Himarës, mund të shfrytëzohej si një monument natyror për turizmin në këtë zonë.