Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 17:30

Vlorë – Projektet që janë në proces apo pritet të nisin, do ta shndërrojnë qendrën historike të qytetit të  Vlorës në një mjedis bashkëkohor, të denjë për emrin e saj dhe vlerat shumëdimensionale ku përfshihen edhe ato turistike. Në prag të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, vendin e ngrehinës gërmadhë të dikurshme në Sheshin e Flamurit do ta zërë një kompleks hotelier dhe tregtar, i standardeve më të përparuara bashkëkohore.

Ky projekt, që financohet nga biznesmeni Sulo Shehi, do të përfaqësojë edhe elementë të vlerave të traditës vlonjate në fushën e ndërtimeve, ndërkohë që do të plotësojë boshllëkun e krijuar prej rreth 3 dekadash në sheshin historik.

Arkitekti Arben Meksi thotë se, objekti do të ketë një lartësi prej 13-14 katesh dhe do të plotësohet edhe me parkime nëntokësore, me një kapacitet mbajtës për qindra automjete. Ai është konceptuar në dy seksione, të cilat do të jenë të ndara në funksion, por plotësuese ndaj njëra tjetrës në simbolikën arkitekturore. “Njeri seksion do të përbëjë pjesën tregtare, supermarkete dhe njësi të tjera shërbimi, ndërkohë që tjetri do të përbëhet nga hoteli modern”, shprehet Meksi. Vetë arkitektura dhe materialet që do të përdoren për realizimin e këtij projekti, do të jenë të standardeve më të përparuara të kohës. Fasada e objektit do të alternohet me pjesën e xhamtë dhe elementë të tjerë të arkitekturës moderne, ndërkohë që në katin e sipërm të objektit do të funksionojë një mjedis shërbimi rrotullues, që do t’u krijojë mundësi të gjithë klientëve të shijojnë bukuritë e qytetit bregdetar.

Por, vetë objekti që në tërësi do të shtrihet në një sipërfaqe prej disa mijra metrash katrorë, është konceptuar si pjesë e një mjedisi me vlera historike e arkitektonike dhe në raporte plotësisht funksionale me to, ku përfshihen godina e Bankës Kombëtare Tregtare, Monumenti i Pavarësisë dhe Lulishtja e Flamurit, godina e Muzeut Historik, lagjja e vjetër e qytetit etj. Në këtë kontekst, ai nuk do të jetë një objekt i shkëputur,  por plotësues ndaj këtij mjedisi.

Punimet për ndërtimin e këtij objekti kanë nisur dhe janë në një fazë të rëndësishme dhe me përfundimin e tyre do të rikthehen edhe vlerat e Sheshit të Flamurit, jo vetëm si një mjedis historik, por edhe funksional për vetë qytetin.  Krahas kësaj, qendra historike e qytetit të Vlorës është bërë pjesë e një projekti që synon ruajtjen dhe rivitalizimin e vlerave të saj, duke realizuar investime konkrete për restaurimin e objekteve që ndodhen në të.

Këto objekte, që janë ndërtuar kryesisht në vitet ’20-të-’40-të të shekullit të kaluar, ç’ka përkon me një periudhë të zhvillimit intensiv të qytetit, përfaqësojnë vlera të spikatura të Vlorës, që mund të vihen në shërbim të një turizmi të qëndrueshëm kulturor.  Ky projekt, që do të realizohet përmes një bashkëpunimi të Bashkisë së Vlorës dhe Universitetit privat “Pavarësia”, ku funksionon Departamenti i Arkitekturës,  nën kujdesin dhe mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, do të zgjasë për një periudhë 3-vjeçare në përfundim të të cilës, parashikohet që kjo pjesë e qytetit të ketë një profil ndryshe, gjë që do të shoqërohet edhe me një hartë arkitekturore ku të përfshihen këto vlera.

Sipas specialistëve, ky është një hap i rëndësishëm për unifikimin e vlerave të qytetit për të vendosur piketat e një trashëgimie kulturore, që Vlora të jetë jo vetëm atraktive në vlerat natyrore, por edhe ato të trashëgimisë.