Lajme Shqip Sunday, 23 September 2012 19:20

Tiranë –  Një kopje e veprës “Protopeiria”, e shkruar nga Teodor Kavalioti një nga drejtuesit e Akademisë së Voskopojës, pritet të jetë për herë të parë pjesë e fondit të Albanologjisë në Bibliotekën Kombëtare në Shqipëri.

Fjalori tre gjuhësh, në greqisht, vllahisht dhe shqip, është jo vetëm një dëshmi gjuhësore, por edhe historike që do të pasurojë fondin albanologjik të Bibliotekës Kombëtare. Sipas burimeve të këtij institucioni, kopja e veprës “Protopeiria” u sigurua falë bashkëpunimit të BKSH-së me Bibliotekën e Akademisë së Rumanisë, ku gjendet edhe ekzemplari i vetëm i kësaj vepre.

“Protopeiria” paraqitet si një libër i vogël, me 96 faqe të shtypura. Nga faqja 13-59 fillon fjalori greqisht-vllahisht-shqip, në tri kolona, me radhë alfabetike dhe më pas vijon një gravurë që paraqet Shën Mërinë me Jezusin foshnjë. 

Voskopoja, sot një fshat turistik në Jugperëndim të Korçës, ka qënë një nga qendrat kulturore më të përparuara të Shqipërisë dhe të Ballkanit në shek. XVIII. Më 1720, qyteti ishte pajisur me një shtypshkronjë që e vazhdoi aktivitetin për gati gjysmë shekulli dhe ku u shtypën libra fetarë-kishtarë dhe ndonjë libër mësimi. Në vitin 1744, një grup intelektualësh themeluan në Voskopojë  “Akademinë e re”, rektori i parë i së cilës ishte Sevast Leontiadhi, kosturiot. Pasues të tij kanë qenë vendasit, voskopojarët Teodor Kavalioti, i cili drejtoi Akademinë pas Leontiadhit, Grigor Voskopojari, zëvendësrektor dhe autor e redaktor i librave që botonte shtypshkronja e qytetit, dijetari Mihal Gorari etj. Programi mësimor ishte ai i shkollave më të përparuara Perendimore, ndërsa pedagogë personalitete të shquara të arsimit, kulturës, shkencës. (LajmeShqip.com)