Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 19:52

Strugë – Fituesi i sivjetmë i “Kurorës së Artë” të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, një nga festivalet më prestigjioze poetike, Akademik Mateja Mateski, në 50-vjetorin e këtyre mbrëmjeve poetike, do të “sjellë” në Strugë, sipas vlerësimeve të organizatorëve, mbi 150 poetë nga mbi 70 vende të botës.

Ndër ata që e kanë konfirmuar praninë e tyre në këtë manifestim poetik janë edhe laureatët e “Kurorës së Artë” të MSP, si Fatos Arapi (Shqipëri), Horhe Padron (Spanjë), Adonis (Siri) Tomazh Shallamun (Slloveni) e shumë të tjerë.

Në këtë festival jubilar të MSP, Struga do të jetë mikpritëse e numrit më të madh, numër rekord  të poetëve nga mbarë bota, e këtë më së miri e vërteton se manifestimi i sivjetmë mbahet nën patronatin e UNESKO-s. Në kuadër të manifestimit të MSP, do të inaugurohet edhe shtëpia përkujtimore kushtuar Vëllezërve Milladinovci, që një kohë të gjatë është rinovuar, meremetuar dhe rikonstruktuar.