Lajme Shqip Friday, 04 September 2015 10:57

Ka kohë që kjo vajzë interpreton në rrugën pedonale të Tiranës, midis Teatrit Kombëtar dhe Galerisë së Arteve. Është një shëtitore që në mbrëmje tërheq mjaft kalimtarë dhe pushues në lokalet përreth.

Aty qëndron edhe vajza elegante me violinën e vjetër të mbështetur në faqen e saj të brishtë. Thuajse gjithmonë kur kaloj andej dëgjoj tingujt e ëmbël që dalin prej gishtave të hollë që lëvizin lirshëm mbi telat e sertë.

Ka tinguj rebele kur ajo luan ndonjë kapriçio të Paganinit, por ka dhe tinguj të qetë, të ëmbël, kur luan Vivaldin apo Moxartin dhe violinistja e re nuk mban pentagram.

Afrohen njerëz të ndryshëm që pëlqejnë muzikën, kurioze për atë që ajo bën, skeptike dhe paragjykues, njerëz me spektër të ndryshëm idesh e mendimesh, hedhin ndonjë monedhë dhe largohen, dikush si triumfator që e bëri atë gjest, dikush si lëmoshdhënës dhe një tjetër “ndihmoje o Zot”.

Ajo vetëm hesht. Nuk ia di gjendjen ekonomike, as identitetin, as gjendjen familjare, por vlerësoj talentin dhe guximin e saj. Para ca kohësh, qëlloi që të kishim afër njeri-tjetrit tavolinat e kafesë. U bëra kurioz dhe nisa ta pyes për muzikën. Më tregoi për shkollën dhe pasionin e saj për violinën. Fliste me entuziazëm duke zbuluar edhe ëndrrat e së ardhmes. E pyeta nëse mund të interpretonte diçka nga Vivaldi. Dhe ajo filloi me “Katër stinët”.

Nuk e di se si quhet, nuk e di nga është, nuk di nëse ka një strehë dhe ushqehet mirë, por në mëndje më kanë mbetur tingujt e violinës së saj dhe dora e vogël mbi tela…