Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 13:21

Prishtinë – Punëtorët që po punojnë në restaurimin e galerisë së Muslim Mulliqit, kanë një presion më shumë. Përfundimi i punës së tyre është kusht për kthimin e 33 veprave të piktorit me nam, Muslim Mulliqit, nga Tirana në Prishtinë, shkruan “Koha Ditore”.

Visar Mulliqi, i biri i piktorit të ndjerë, ka thënë për gazetën se tashmë kanë pushuar në marrjen e çfarëdo veprimi për kthimin e veprave të të atit derisa të mos përfundojë restaurimi i galerisë.

“Pjesa e parë e restaurimit të galerisë tashmë është kryer. Ka dalë mirë dhe jemi të kënaqur. Pjesa e dytë e punëve që kanë të bëjnë me pjesën e brendshme të galerisë, do të përfundojnë më së largu deri në vitin e ardhshëm”, ka thënë Visar Mulliqi.
Vitin e ardhshëm, veprat e Muslim Mulliqit mbushin 19 – vjet të qëndrimit të tyre në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve, 33 veprat janë duke qëndruar në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Kthimi i tyre në Kosovë, sipas autoriteteve në Tiranë, do të mund të bëhej me një kërkesë zyrtare nga autoritetet kosovare të kulturës. Edhe vetë djali i Mulliqit, më parë kishte mbajtur qëndrim në kundërshtim me autoritetet në Tiranë.
“Nuk e kuptoj se pse duhet të jenë këto probleme burokratike në këtë mes”, kishte thënë Visar Mulliqi. Sipas tij, Galeria e Arteve e Kosovës do të ishte vendi më i mirë ku ato do të mund të ruheshin.
Tash, disa muaj më pas, ai thotë se është mirë që veprat e të atit po mbahen në Tiranë.
“Veprat janë të ruajtura dhe është më mirë që po rrinë aty dhe po ruhen. Kur të jetë gati galleria, ne do t’i kthejmë ato vepra”, ka thënë Mulliqi.
Restaurimi i galerisë së Muslim Mulliqit i është besuar kompanisë nga Skenderaj “Euro Project”, përmes tenderit për “Rikonstruktimin dhe rindërtimin e muze-galerisë Muslim Mulliqi”, i dhënë vitin e kaluar. Kostoja e këtij projekti kap shifrën prej më se 76 mijë eurosh.

Veprat e Muslim Mulliqit në Tiranë kanë parë “dritën” e ekspozimit më 6 prill të këtij viti.

Galeria e Arteve në Tiranë kishte hapur ekspozitën me titull “Muslim Mulliqi – vepra 1970-1990”. Në hapje të ekspozitës, autoritetet kosovare dhe familjarët e piktorit me nam, kishin paralajmëruar se pas mbylljes së ekspozitës do të bëhej kthimi i këtyre veprave në Kosovë. Mirëpo edhe ky premtim është shkelur, pasi drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, Rubens Shima, nuk kishte hequr dorë nga kushtet që kishte vënë për kthimin e tyre.
“Do të qëndrojnë në galeri dhe ne do të shohim që së bashku me familjen dhe ministrinë tuaj të kulturës të bëjmë të mundur kthimin e tyre brenda procedurave”, kishte thënë Shima. Familja i kishte lënë në dorë Ministrisë së Kulturës që ta përmbushë këtë kërkesë, teksa kjo e dyta kishte premtuar një zgjidhje të shpejtë për këtë çështje. Por, tash asnjëra palë nuk ka nevojë të ngutet.
Tridhjetë e tri veprat e Muslim Mulliqit ishin dërguar në Tiranë, në vitin 1993, në kohën e Qeverisë Bukoshi, në kuadër të manifestimit “Java e kulturës e Kosovës”. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, asokohe qe hapur ekspozita me veprat e Mulliqit.