Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 08:30

Tiranë – “Shtëpia e Bernarda Albës”, drama e grave në një fshat të Spanjës, do të shfaqet premierë mbrëmjen e nesërme në Teatrin e Metropolit, nën regjinë e Kiço Londos.

Një kast aktoresh të reja si Esela Pysqyli, Erjona Kakeli, Taulanta Jupi, Adriana Tolka, Mirala Naska, Ermira Hysaj dhe aktoret Roza Anagnosti e Luiza Xhuvani do të sjellin për publikun kryeqytetas tragjedinë e Federiko Garsia Lorkës, një vepër që prek tema të mëdha, si tema e lirisë, dhunës, shtypjes seksuale, e rolit të gruas, etj.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, regjisori Londo u shpreh se ka zgjedhur Lorkën për të transmetuar disa shqetësime të tij në lidhje me mëkatet e kulturës, kodet, moralin, nderin e familjes, etj. “Mëkatet e kulturës janë shekullore. Vepra rezonon fort me kohën, me shqetësimet tona me frikën tonë”, tha Londo.

Protagoniste e shfaqjes është Luiza Xhuvani në rolin e Bernardës, një grua e obsesionuar nga konceptet e nderit dhe traditës e që vendos tirani mbi pesë vajzat e saj, të cilat përcjellin dramën e mungesës së lirisë dhe pasionit.

Në rolin e gjyshes, regjisori Londo ka përzgjedhur aktoren Roza Anagnosti e cila e konsideroi këtë rol një sfidë të re për të. “Artisti gjithmonë i ka qejf sfidat. Edhe kjo për mua ishte një sfidë në një skenë të re me një grup të ri artistesh”, tha Anagnosti, gjatë konferencës për shtyp.

Karakteri që Anagnosti interpreton, sipas saj është shumë i veçantë, një karakter që jeton në një botë ireale, por që duhet të jesh shumë e besueshme për publikun. “Autori shpreh veten e tij tek ky personazh, ka botën e tij të brendshme. Unë kam ecur ngadalë në realizimin e rolit duke e vizatuar atë gradualisht”, tha Roza Anagnosti.

Shfaqja do të interpretohet në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit, në një skenografi pa mure, por një kopësht, një shatërvan i rrethuar nga lule kacavjerrëse dhe pesë vajza që sjellin ujë, simbol i jetës dhe i pasionit.

Për regjisorin Kiço Londo, vepra e Lorkës është një tekst poetik, një vepër vetëm me femra që i drejtohet shpirtit. Bukuria korruptohet, sugjeron Lorka, në një ambient ku njerëzit nuk lejohen të shijojnë dhe përjetojnë pasionet e tyre.

“Shtëpia e Bernarda Albës” e shkruar nga Federico Garcia Lorca në vitin 1936, sjell historinë e Bernarda Albës e cila pasi ka mbetur e ve për herë të dytë, vendos të mbajë një zi të rreptë, ajo dhe vajzat e saj. Por do ta vendosë këtë gjë me një tirani të egër. Gjithçka komplikohet kur vajza e madhe tërheq një pretendent, Pepe Romano, i cili hedh në shtëpi farën e xhelozisë dhe pasionit.

Drama, me kostumografi të Berina Kokonës dhe koreografi të Aledia Kondaj do të shfaqet çdo të enjte, të premte, të shtunë dhe të diel në Teatrin e Metropolit, ora 20:00.