Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 14:29

 Berlin – Fotografia e lumit Rin, e fotografuar nga artisti gjerman Andreas Gursky është shitur për 4.3 milion dollarë, duke vënë rekord të ri për vlerën e fotografisë së shitur në një ankand publik.

E titulluar si “Rhein II”, fotografia kromogjenike e shtypur në xham akrilik, e kishte një vlerë të paracaktuar para ankandit në mes të 2.5-3.5 milion dollarëve. Ajo u shit të martën në ankandin e Christie’s. Mirëpo, blerësit të fotografisë nuk ju zbulua identiteti.

Rekordin e mëhershëm të fotografisë së shitur në një ankand publik deri tani, e mbante Cindy Sherman me fotografinë e saj artistike të titulluar “Untitled” (Pa Titull) e cila u shit në muajin maj me vlerën prej 3.8 milion dollarësh.

Fotografia panoramike e Gursky-t e lumit Rin është një prej 6 fotografive të kolazhit të autorit. Katër prej tyre gjenden në muzetë e mëdha të botës, përfshirë Muzeun e Artit Modern në New York dhe Muzeun Modern Tate në Londër.