Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 09:23

Tiranë – Vepra e Ismail Kadaresë, shkrimtari më i madh i letërsisë shqipe dhe i njohur në letërsinë botërore bashkëkohore, është sot në fokus të konferencës ndërkombëtare “Simpoziumi i studimit mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare në ditët e sotme”, në Venecia.

Kjo është hera e tretë që në një qytet si Venecia organizohet një aktivitet kushtuar ekskluzivisht veprës së shkrimtarit, kandidat për Çmimin Nobel.

Si edhe herë të tjera edhe këtë herë Kadare nuk merr pjesë personalisht në këtë aktivitet, jo vetem për angazhimet e tij të shumta, por edhe për faktin se nuk është në stilin e tij të marrë pjesë në aktivitete ku flitet për të dhe veprën e tij.

Ky aktivitet organizohet nga Departamenti i Studimeve Gjuhësore dhe Kulturore të Krahasuara i Universitetit Ca` Foscari, në bashkëpunim me Marco Polo System, Art Kontakt, Associazione Associazione Nazionale Italo-Albanese ANIA, ASCI degli Studi.

Kjo nismë lidhet sërish me aktivitetet e zhvilluara në 2006 dhe në 2009, të cila u finalizuan me botimin e dy volumeve të dokumenteve: Të lexosh Kadare-në, në kujdesin e A. Scarsella dhe Kadare-ja Europian në kujdesin e G. Turano.

Qëllimi i këtij aktiviteti është azhornimi dhe monitorimi i kulturës shqiptare në ditët e sotme, nëpërmjet mënyrave të kërkimit të diferencuar: gjuha, letërsia dhe kinemaja, duke ruajtur të gjallë punën kërkimore të veprës së Kaderesë.

Stafi i bashkëpunëtorëve pasurohet me këtë rast nga punimet e studiuesve nga Universitetet italiane dhe të huaja, me qëllim që të tërhiqet më tej vëmendja mbi pasurinë e kujtesës dhe ideve të lidhura me Shqipërinë dhe shqiptarët në Itali dhe Europë.

Ky aktivitet realizohet falë kontributit të Maria Teresa Giaveri (Universiteti i Torinos), Giovanni Belluscio (Universiteti i Kalabrisë), Andrea Bonifacio (Marco Polo System), Lucia Nadin (Ateneo Veneto), Stefano Trovato (Biblioteka Kombëtare Marciana), Gianpiero Ariola (Carid Ferrara), Mira Hoxha (Universiteti Ca’ Foscari Venecia), Delphine Gachet (Universiteti de Bordeaux), Isabelle Poulin (Universiteti de Bordeaux), Ariane Eissen (Universiteti de Poitiers), Anna Maria Carpi (Universiteti Ca’ Foscari Venecia), Paolo Muner (Studi Marina), Artan Filo (Shoqata Asci), Andi Tepelena (Art Kontakt).