Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 15:10

Tiranë – Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shndërrimin e Akademisë së Arteve në Universitet.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e këtij vendimi dhe vlerësoi traditën e Akademisë së Arteve si qendra kryesore e këtij lloji për të gjithë botën shqiptare.

“Ky është një vendim i vonuar, pasi trupa pedagogjike e këtij universiteti gjatë gjithë këtyre viteve ka arritur nivelet e larta profesionale në pergatitjen e artistëve të të gjitha zhanreve. Janë hapur një seri katedrash dhe degësh të reja, të cilat kanë hapësirë të gjerë në tregjet tona. Akademia e Arteve ka arritur t’i përgjigjet tregut”, tha Berisha.

Në këtë drejtim, ai theksoi se vendimi i shndërrimit në universitet, përshtatet plotësisht me statusin e realizuar nga profesorët, pedagogët dhe studentët e këtij universiteti.

“Talentet e shkolluara në këtë Akademi kanë bërë dhe po bëjnë emër në skenat dhe galeritë e mbarë Europës dhe botës dhe i kanë dhënë para së gjithash gjallëri krejtësisht jetër krijimit artisitik dhe jetës artistike dhe kulturore të vendit”, tha Berisha.