Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 07:57

Tiranë – Pianisti, Mark Okoth Obama Ndesandjo, vëllai nga babai i presidentit të SHBA-së, Barak Obama, prezantoi dje librin e tij bestseller “Nga Nairobi në Shenzen”, një reflektim i eksperiencave të tij në jetë.

Në një intervistë për mediat shqiptare, pasi firmosi autografe të shumtë, Mark Obama tha se libri nuk ka si temë kryesore marrëdhënien e tij me babain e dhunshëm, por romani shpjegom përvojat e tij, eksperiencën e tij me familjen dhe aty i referohet dhunës familjare, të cilën ai vetë e ka përjetuar.

“Doja të shkruaja një biografi dhe po mendoja se si do ta përshkruaja babain tim dhe nuk më vinte në mënd asgjë e mirë për të, por nuk mund të shkruaja një biografi pa thënë një gjë të mirë për të, sepse çdo njeri ka diçka të mirë në vetvete”, tha Mark Obama.

Ai shpjegoi se për të realizuar romanin, për të cilën ka punuar mbi 10 vjet, filloi të imagjinojë nëse babai i tij do të shkruante një ditar dhe do t’ia jepte atij ku i shpjegonte gabimet. Autori e ka menduar të gjithë këtë dhe e ka hedhur në librin “Nga Nairobi në Shenzen”.

Në lidhje me vëllain e tij Barak Obama, Mark Obama nuk preferoi të fliste, duke u përgjigjur vetëm se duhet të presim librin me kujtime që ai po shkruan, ku do të zbulojë edhe disa detaje të reja. E vetmja gjë që tha për Presidentin e Amerikës ishte në lidhje me librin e tij, bestseller gjithashtu, “Ëndrra nga im atë”.

“Në mënyra të ndryshme ne kemi patur përvoja të ndryshme dhe kjo është e kuptueshme, sepse unë jam rritur në Kenia dhe kam kaluar më shumë kohë me anëtarët e familjes, vëllezërit dhe babain. Vëllai im ka gjetur rrugën e tij, unë kam gjetur rrugën time”, tha Mark Obama.

Obama tha se ka dëgjuar për Shqipërinë nga shkolla thjesht si një emër, pasi dhe shkollimi i tij kishte të bënte me njohjen e kulturave të ndryshme. Mark Obama di shumë pak gjëra, por u shpreh se do të mësojë edhe më shumë. Ka dy ditë në Shqipëri dhe shqipton mirë fjalët: faleminderit.

Mark Obama tha se fitimet nga shitja e librit do t’ja dhurojë fondacionit “Nënë Tereza” në Shqipëri, ndërkohë që një pjesë të të ardhurave nga shitja e librit në Amerikë i ka dhënë për bamirësi për fëmijët.

Pianisti i muzikës klasike dhe jazz e ka shkruar librin për të tërhequr vëmendjen mbi dhunën shtëpiake dhe të ndihmojë përmirësimin e jetesës së fëmijëve në nevojë, kudo qofshin. “Njerëzit në fillim nuk flisnin për dhunën në familje, i pari unë, por duke u përpjekur dhe munduar që të vë dashurinë të parën, kam arritur që ta fal babain tim dhe kjo ishte mënyra më e mirë për t’i dhënë familjes vlerën që meriton”, tha Mark Obama.

Sot ai ndihet krenar për mbiemrin që mban, ndërkohë që vazhdimisht organizon koncerte si dhe mësime falas në një jetimore.

Pas prezantimit të librit voluminoz të botuar në shqip nga shtëpia botuese “55”, Obama luajti në piano pjesë muzikore nga Shopen.