Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 16:30

Tiranë – Federata “Vatra”, e cila bashkoi zyrtarisht të gjitha organizatat e shqiptarëve të SHBA-së më 28 prill 1912, ka themeluar së fundmi degën e saj në Michigan, një shtet federal në pjesën veriore të kontinentit amerikano-verior, i zgjedhur masivisht nga emigrantët shqiptarë të hershëm dhe më të vonët e viteve 90′.

Kjo degë e re e “Vatrës” kryesohet tashmë nga z. Alfons Grishaj dhe me nënkryetar Pjetër Jaku.

Në takimin themelues për degën e “Vatrës” në Michigan morën pjese shqiptaro-amerikanë të këtij shteti, Presidenti i federatës, Dr.Gjon Buçaj dhe anëtari i Bordit Drejtues të saj,  z. Zef Balaj.

Dr. Gjon Buçaj, bëri një paraqitje kronologjike të veprimtarisë së kësaj organizatë patriotike dhe atdhetare, krijuar për një mision të veçantë kombëtar, i cili u realizua me demokratizimin e Shqipërisë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Ai theksoi se “etapat nëpër të cilat ka kaluar “Vatra” dhe qëndrimet kombëtare që ka mbajtur, janë shembulli më i mirë për të frymëzuar vatranët e rinj”.

Dr. Bucaj, i njohu të pranishmit edhe me veprimtarinë e kohëve të fundit lidhur me vizitat që një delegacion i kësaj federate pati në Atdhe.

Qëndrimet e “Vatrës” kanë qënë gjithnjë në përputhje me pikat parimore të Kanunores, miratuar nga vatranët më në zë të asaj kohe dhe që ka shërbyer si bazë për veprimtarinë e brezave në vazhdim.

Patriotizmi i shqiptarëve të kohës kur ende Shqipëria nuk ishte shtet, e bëri ” Vatrën” të luaje rol vendimtar për lindjen dhe jetën e shtetit shqiptar, në Ameriken e madhe, miken tonë historike.

Më pas e morën fjalën vatranët e njohur si: Kujtim Qafa, Gjevalin Gega, Viktor Kasneci, Ilir Myftiu, Pal Rakaj, Elinda Marku, Mondi Rakaj dhe intelektuali i shquar, Genc Kortsha. Në fjalën e tyre jo vetëm u përkrah krijimi i kësaj dege, por edhe u fol për mbështetjen e saj.

Vasel Ujkaj, një nga vatranët veteranë në komunitetin shqiptar të Detroitit, solli disa nga numrat e gazetës “Dielli”, që mendonte se mund të shërbejnë të citohen në 100 vjetorin e kësaj Federate të shqiptarëve të Amerikës, si dhe listën e Degës së Detroitit të para 40 viteve.

Më pas u kalua në votimin për kryesinë e kësaj dege. Pas votimit të fshehtë, sipas kanunores së Federatës “Vatra”, kryetari komisionit të numërimit, Paulin Palushi deklaroi drejtuesit e degës: Kryetar u zgjodh Alfons Grishaj, nënkryetar Pjetër Jaku, Sekretar Mondi Rakaj, arkëtar  Julian Çefa dhe anëtar kryesie: Ilir Myftiu, Kujtim Qafa dhe Anita Hajdari.

Në fund, kryetari i ” Vatrës” Dr. Gjon Buçaj, foli për organizmin që po bëhet për të përkujtuar 100 vjetorin e ” Vatrës “, i cili do të filloje ditën e shtune me 28 Prill 2012, (ditë kur u krijua kjo federate ne vitin 1912), me seminarin për të cilin janë ftuar disa lektorë profesionistë, për të vazhduar me mbrëmjen festive të datës 29 Prill.

Në nderim të kësaj dite, kjo organizatë kombëtare dhe lobiste në SHBA, e themeluar nga figurat e shquara kombëtare, Faik Konica dhe Fan S. Noli, ka përgatitur manifestime solemne dhe programe shkencore – artistike në Nju Jork. Sipas planifikimeve, në hotelin “The Hemsley Park Lane Hotel” në Manhattan do të mbahet më 28 prill një tribunë shkencore, me personalitete të ftuara nga SHBA-të, diaspora dhe trevat shqiptare. Ndërsa më 29 prill 2012 do të shtrohet një darkë solemne për nder të pjesëmarrësve dhe të mysafirëve, në Chelsea Piers në Manhattan, ku janë ftuar personalitete të njohura të kulturës e të politikës kombëtare e të huaj.