Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 14:30

New York – Në luftën kundër varësisë më së shpeshti do të përdoren zëvendësuesit, si metadoni, për t’i ndihmuar narkomanët të ndërpresin varësinë. Mirëpo tek varësia nga kokaina nuk ka një zëvendësues të tillë. Por një grup i hulumtuesve amerikanë tani ka zhvilluar një mjet edhe më të mirë se zëvendësimi: vaksina me të cilën praktikisht i hiqet veprimi “dehës” i kokainës, madje edhe nëse merret përsëri.

Për momentin janë duke u kryer testimet në Houston, Filadelfia, New York dhe Cincinnati dhe në qendra në mënyrë vullnetare vijnë të varurit që marrin kokainë tashmë gjashtë apo shtatë vjet. Arsyeja edhe tek këta narkomanë është e ngjashme si edhe tek të gjithë të tjerët, shpjegon psikiatri Tomas Kosten nga Kolegji i mjekësisë Baylor në Hjuston: “Shumica e pacientëve nuk mund të durojnë më presionin e familjeve apo punëdhënësve të tyre të cilët në mënyrë të vazhdueshme ua përsërisin se si kokaina ua shkatërron jetën. Shumë nga ata më në fund edhe vetë e shohin se duhet të “pastrohen”, por deri tani nuk kanë pasur sukses në këtë”.

Vaksina tek pacientët krijon antitrupa kundër kokainës, ndërsa pikërisht kjo ndikon që kokaina të arrijë në gjak, por nuk mund të depërtojë në sistemin nervor të trurit. Gjatë viteve të fundit hulumtuesit kanë vaksinuar rreth 400 persona dhe tek tre nga katër pacientë ky mjet ka efekt.

Megjithatë problemi është që vaksina mund të largojë veprimin e kokainës, por nuk mund të largojë nevojën e të varurit për të qenë “haj”. Për këtë arsye javët e para pas vaksinimit, kur i varuri nuk mund të arrijë intoksikimin, janë veçanërisht të vështira. Me kohë edhe varësia fillon të zvogëlohet.

Vaksina vepron vetëm disa muaj – pas kësaj duhet të merret përsëri. Mjekët amerikanë kanë ardhur deri te konkludimi se si kombinimi më i mirë për të varurit nga kokaina është të marrin vaksinën por edhe të pranojnë të shkojnë në psikoterapi, por edhe mësimi, për të përballuar deri në fund nevojën e tyre për të qenë “haj”. Nëse e gjitha ka sukses, këta të varur në parim së paku pesë vjet nuk e ndiejnë më nevojën për drogë..

Kjo vaksinë ende nuk e ka marrë lejen për përdorim të përgjithshëm, ndërsa hulumtuesit amerikan me siguri i pret hulumtimi edhe më i gjerë për t’ua provuar sigurinë departamenteve përkatëse.