Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 08:38

Tiranë – Themelohet për herë të parë Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare, me anëtarë nga të gjitha trevat shqipfolëse në Ballkan, e cila ka si qëllim kryesor bashkimin kulturor, artistik dhe shpirtëror të të gjithë muzikantëve shqiptarë.

Qendra Artistike “Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare” është themeluar nga artistët Desar Sulejmani (Gjermani), Baki Jashari (Kosovë), Blerim Grubi (Maqedoni), Isak Shehu (Shqipëri), Sihana Badivuku, (Kosovë), Fatos Lumani (Maqedoni), Pjeter Guralumi dhe Bujar Alliu (Shqipëri).

Ndër qëllimet e këtij institucioni të ri muzikor mbarëkombëtare është promovimi i vlerave kulturore dhe i traditave të shumta muzikore ndërmjet instrumentistëve, dirigjentëve, muzikantëve dhe kompozitorëve shqiptarë.

Qendra “Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare”, nëpërmjet organizimit të takimeve koncertale, kurseve dhe simpoziumeve të ndryshme, synon një bashkim shpirtëror, kulturor, artistik brënda vetë kombit shqiptar.

Për të realizuar këto qëllime artistike Qendra do të realizojë aktivitete dhe projekte të ndryshme, në bashkëpunim më aktorët e interesit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të cilat do të zhvillohen njëkohësisht në të gjitha trevat shqipfolëse në Ballkan e më gjerë.

Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare e ka dhënë premieren e saj artistike në 20 nëntor 2010 në Mynih të Gjermanisë, në një koncert bamirësie për femijët me sëmundje të vështira, organizuar nga Shoqata humanitare “Nënë Tereza” në Mynih.

Në kuadër të themelimit të këtij institucioni, “Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare” do të zhvillojë një konferencë për shtyp, nesër, më 8 prill, në sallën Black Box të Akademisë së Arteve.