Lajme Shqip Friday, 25 November 2011 15:20

Gjirokastër – Shtëpitë më të spikatura karakteristike të Gjirokastrës, si dhe një pjesë e rëndësishme e monumenteve të kulturës të qytetit të Gjirokastrës, të gdhënduara në dru apo në gurë, “udhëtojnë” drejt shteteve të ndryshme të botës.

Turistë të shumtë që vizitojnë Gjirokastrën, bashkë me mbresat që marrin nga arkitektura e shtëpive të Zekatëve, Angonatëve, Skëndulatëve, Gurgait, etj., para se të largohen drejt vendeve të tyre, nuk harrojnë të blenë në dyqanet e suvenireve edhe punimet e gdhendura në dru dhe gurë, të bëra nga mjeshtrit gjirokastritë.

“Por nuk janë vetëm turistët e huaj, por edhe figura të njohura të politikës shqiptare dhe botërore që zbukurojnë shtëpitë e tyre me punimet e artizanëve gjirokastritë”, thotë Anastas Petridhi, një ndër gurgdhëndësit më të njohur në Gjirokastër.

Në dyqanin e Petridhit, në zëmër të Pazarit 300-vjeçar, turistë të shumtë, të ardhur nga Greqia, Italia, Gjermania apo Japonia dhe Australia e largët, kanë preferuar punimet në dru dhe gurë, të tregtuara në dyqanin e tij dhe askush prej tyre nuk është larguar nga Gjirokastra pa blerë më parë një prej këtyre punimeve.

Gdhendja mjeshtërore e drurit dhe e gurit po rikthehet nga artizanët e Gjirokastrës.

“Kemi gdhendur në dru thuajse të gjitha banesat e vjetra të qytetit, ndërsa dy vitet e fundit, mjaft turistë të huaj kanë kërkuar të gdhëndur në dru edhe shtëpinë e shkrimtarit  Ismail Kadare”, tregon tregtari i objekteve artizanale në qytetin muze.