Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 20:15

Tropojë –  Temperaturat e ulta kanë shënuar këto ditë fillimin e stinës së ftohtë të dimrit, veçanërisht në zonën turistike të Valbonës që ndodhet në nivelin e mbi 800 metrave mbi nivelin e detit.

“Tani jemi në fillim të sitnës së dimrit, i ftohti ka nisur, por pika turistike e Valbonës nuk është braktisur për asnjë ditë nga turistët e shumtë të huaj që ndodhen çdo ditë vizitorë në mjediset e shumta të kësaj pike turistike. Janë nga Gjermania, Zvicra, Çekia, Austia etj. Ndërsa me fillimin e të ftohtit ka rënë ndjeshëm numri i vizitorëve ditorë nga zonat e ndryshme të Kosovës”, thotë kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj.

Tashmë në pikën turistike të Valbonës, turizmi malor gjithëvjetor është i plotfuqishëm. Kjo ka nxitur edhe shtimin e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore etj, në gjithë zonën e Valbonës. “Veçanërisht investime të konsiderueshme në këtë zonë po kryen FSHZH-ja e cila edhe monitoron cilësinë e punimeve të kryera”, thotë Biberaj.

Sot për kontrollin e investimeve që po kryhen në Valbonë ishin të pranishëm edhe specialistë të FSHZH-së.

Investimet e kryera dhe rritja e interesit të vizitorëve e kanë kthyer tashmë pikën turistike të Valbonës në një oaz turistik të parapëlqyer gjithnjë e më shumë prej vizitorëve të huaj.

Tashmë përvoja e viteve të fundit ka treguar se Valbona gjithnjë e më shumë po bëhet e pranishme në hartën  turistike të vendit dhe mjaft e parapëlqyer nga turizmi i huaj. Është kjo arsyeja që ka nxitur banorët të rrisin investimet për ngritjen e bujtinave, numri i të cilave sa vjen e rritet, ndërsa vetëm prej një personi, pronar bujtine, numri i shtretërve ka arritur deri në 36.

Ndërsa numri i bujtinave të deritanishëm arrin në 10 me rreth 110 shtretër.  Duke qenë se në shumë raste numri i bujtinave nuk plotëson kërkesat e vizitorëve në numër shumë më të madh, në këtë funksion kthehen edhe disa prej banesave të zonës.