Lajme Shqip Saturday, 04 August 2012 11:00

Vlorë – Frymëmarrja e fundit e këtij qyteti nuk është regjistruar në memorien shekullore, por gjykohet se nga shekulli III pas Krishtit, të ketë ndalur “ora” e këtij qyteti dhe ekzistenca  e vet qytetit.

Tronditjet historike, me gjithë gjatësinë e shekujve, kanë datime. Shekujt IV-V si në të gjitha qytete antike, që ka Vlora  si Olympia, Cerja dhe Triporti të ketë si bazë zhvillimin e jetës duket  pikërisht në këta shekuj si dhe të ketë dominuar  në të gjitha zhvillimet historike, qytetare, ekonomike, në zonën e vet. Mjegullinat me gjithë cirnosjen e tyre kanë si epilog harresën. Qytetërimet historike që kanë mbajtur peshë, megjithëse shekujt që i kanë kaluar përmbi supe kanë qenë të gjatë, kanë lënë si gjurmë, dëshmi. Koha nuk i  zhbëri, dyshimet janë aty në brendinë e tokës. Në të vërtetë Triporti u gjet vonë. Muret e tij mbetën nën errësirën e kohës dhe nën valëzimin e ujërave të detit.

Triporti është një rrip toke, (shkruan në planin e zhvillimit të saj Komuna Qendër) në formë istmi, që shtrihet për 8 km në veriperëndim të Vlorës, midis lagunës së Nartës në lindje dhe detit në perëndim. Relievi i këtij rripi toke krijohet nga kodrina te ulëta që shkojnë deri në 80 m. Në të kaluarën, lidhja e lagunës së Nartës me detin realizohej nga tri hyrje, nga të cilat sot funksionon vetëm një. Në pjesën më të gjerë e më të lartë të Triportit gjendet fshati i Zvërnecit, në pjesën jugore të të cilit janë zbuluar mbetje te një porti antik. Krahas kësaj, zbulimet në Triport kanë nxjerrë gjurmët e një vendbanimi të shek VII.

Novruz Barjami, historian pranë DRMK Vlorë, tregon shkurtimisht zbulimin që kishte bërë një qytetar. Fjala ishte për një punishte, sipas tij, atelie për prodhimin e veglave. Zbuluesi i kësaj punishteje ka rënë rastësisht në gjurmët e tij. Tri vite në kërkim të ateliesë, sepse zbuluesi aty nga viti 2009 solli 5-6 mostra, të cilat përbëheshin nga gurë stralli. Mostrat e gjetura ishin të vogla, por që shquanin punimin nga dora e njeriut prehistorik. Zbuluesi pasi mësoi se bëhej fjalë për një vendbanim të hershëm u zhduk, duke mos treguar koordinatat e vendit ku kishte gjetur gurët e strallit. Ai ishte me profesion peshkatar dhe dihej zona ku ai gjuante. Ramë në gjurmët e kësaj vendndodhjeje prej vitit 2009, për 3 vjet kemi identifikuar rreth 10 mijë objekte, të cilat janë: Objekte prej stralli si: maja heshtash, kuase, limoç, thika. Nga 10 mijë objekte ishin si vegla, ushta gjysmë të punuara, mikluese (bërthama), gurë të testacuar. Këto të fundit, sipas tij janë vegla prej stralli, bronzi dhe kocke, edhe disa copa qeramike.

Cilat janë koordinatat e këtij vendbanimi dhe a përfshihet ky në hartën e Triportit? Vendbanimi shtrihet në sheshpushimet mes tri kodrave të Triportit, mes të cilave njihen me emërtimin Putanja, Portonova etj. Kohët kanë zbuluar objekte, të cilat paraqesin interes sepse janë të punuara në gurë të veçantë, siç është guri i kafenjtë. Besohet dhe ndoshta supozohet se kjo mund t’i takojë një periudhe më të hershme.

Çfarë përbën ky zbulim në tërësi? Autori mendon se kemi të bëjmë me një vendbanim të hapur prehistorik, që i ka fillimet e tij jo më vonë se paleoliti i mesëm.

A mundet të jetë vendbanim me përmasa të mëdha? Duke u nisur nga shumëllojshmëria e veglave, punimi i tyre dhe numri i madh i gjetjeve tregohet për një vendbanim me përmasa të mëdha. A ekziston një lidhje midis këtij vendbanimi dhe  atyre të konfirmuara më parë për gjetjet si në Shkodër, Xarë, Durrës? Gjetjet e këtij vendbanimi në Triport të Vlorës konfirmojnë tezën se i gjithë bregdeti ka qenë i banuar. Nga zonat e eksploruara në Zvërnec janë 3 vendbanime, të cilat janë ndarë në zona (A,B,C). Dëshmia e kësaj gjetjeje sjell në kujtesë vërtetësinë se këto gjurmë janë vazhdimësia e jetës nga paleolitit i mesëm deri në bronz. Kodra e Triportit ndodhet pranë Zvërnecit, ku janë zbuluar gjurmë të periudhës qytetare, të cilat janë në vazhdim të shekullit II.

Triporti në syrin e Apolon Baçes

Në skajin verior të Gjirit të Vlorës, në Triport gjendet një varg i ulët kodrinor, që vazhdon prej veriut në jug dhe shtrihet deri në buzën e detit. Në veri të tij gjendet liqeni i Nartës, në perëndim dhe në jug deti, ndërsa në lindje gjendet një truall rreth 1 km i gjatë dhe 0.5 km i gjerë. Qyteti i fortifikuar dhe skela përmenden prej Çelebiut, ku sipas tij “në perëndim të fshatit Zvërnec, në një shkëmb në buzë të detit gjendet kështjella e Jengjeçit, prej së cilës ruhen vetëm rrënojat e mureve dhe një liman shumë i madh. Me gurët e tyre, Sulltan Sulejmani ndërtoi fortesën e Vlorës. Fakti që muret e kalasë së Vlorës janë ndërtuar me blloqe të thyera të periudhës antike, na shtyu të vëzhgojmë më me kujdes zonën e mësipërme. Gjurmët që u gjetën nga sondazhet treguan se linja e mureve ndiqte kodrën në 2/3 e lartësisë së saj, duke rrethuar një sipërfaqe prej 3 ha. Blloqet e murit, identike me ato që qenë përdorur në kalanë e Vlorës, janë dëmtuar në mënyrë sistematike edhe më vonë, duke shërbyer si gurore për ndërtimet që kryheshin përreth. Megjithëkëtë, poshtë pasqyrës së ujit dhe në pjesët e saj të fillimit ruhen ende gjurmë, të cilat së bashku me disa sondazhe dhe një skicë të K. Paçit, na japin mundësinë që të rindërtojmë në vija të përgjithshme planimetrinë e saj.

Bankina nis në rrëzë të kodrës, vazhdon në vijë të drejtë për 650 m, duke qenë kështu një nga më të mëdhatë e kohës. Kjo gjatësi jepte mundësi të ankoroheshin shumë anije. Trualli ndërmjet dy vargjeve kodrinore që përmendëm më sipër, është i mbushur me gjurmë ndërtimi dhe fragmentesh qeramike. Togjet me skarcitete dëshmojnë për praninë e punishteve në afërsi të shpatit të kodrës së fortifikimit.

Lind pyetja: nëse Kanina, qytet bregdetar, në një zonë të përshkruar prej korrentesh të fuqishme ekonomiko–politike i ka shpëtuar vëmendjes së historianëve dhe gjeografëve antikë?

Siç dihet, në këtë zonë përmendet vetëm një qytet me emrin Amantia, me koordinata që përkojnë mjaft mirë me ato të Kaninës. Pozita e tij e kushtëzuar nga lidhja e njëkohshme me detin, në një zonë të përshtatshme për qëndrimin e anijeve dhe hinterlandin Amantin dëshmon mjaft mirë se këtu kemi të bëjmë me një qytet amant. Zhvillimi i Amantias në shek. IV-III p.e.s dhe kthimi i saj në një nga qendrat më me rëndësi të bregdetit të poshtëm të Adriatikut, sigurisht që kërkonte një qendër buzë detit për kryerjen e tregtisë detare, qendër që sipas nesh ishte pikërisht Kanina. Vetë emri mendojmë se do të ketë mbetur i fshehur nën emrin e fisit dhe qytetit mëmë Amantie. Për sa i përket qendrës tjetër, Straboni, ndërmjet Orikut dhe Apolonisë në bregdet vendos Bylliakin, ndërsa Ptolemeu pas Apolonisë rreshton Aulonën (qytetin me rrënojat e Triportit) është jashtë dyshimit, pasi asnjë qendër tjetër nuk i përgjigjet më mirë përkufizimit të Ptolemeut. Por në këtë zonë, siç e pamë më sipër, gjendet vetëm një qytet bregdetar, ai në Triport, e duke u nisur nga kjo, Tomashek hedh mendimin se ndoshta Aulona fillimisht ka qenë Bylisi. Ky supozim na duket i drejtë, pasi një qytet i vetmuar, pa lidhja të forta me hinterlandin, si ekonomike ashtu edhe ushtarake do të qe eliminuar me kohë prej Apolonisë fqinje, e cila duhet të ndiente mirë konkurrencën e saj tregtare. Identifikimi i qytetit të Kaninës në periudhën e vonë antike mendojmë se mund të arrihet në sajë të listave të Prokopit. Ndërmjet fortifikimeve të ndërtuara në Epirin e Vjetër, ai përmend dhe njërin me emrin Kionin. Qenia e Kaninës pikërisht në kufirin midis dy Epireve (siç kuptohet nga burimet, ndarja tradicionale kalonte midis Ujit të Ftohtë dhe Rradhimës) na lejon të supozojmë se ajo mund të jetë vënë gabimisht në Epirin e Vjetër. Kështjella e Sofës, mendojmë se si në kohën antike, ashtu dhe në atë antike të vonë quhej Tragjas, emër të cilin e gjejmë te Stefan Bizantini për një krahinë të Epirit (tragasai) të njohur për nxjerrjen e kripës, pra në buzë të detit, emër që ruhet dhe sot e kësaj dite për fshatin ngjitur kështjellës. Për sa i përket Aulonës dhe Orikut, ata vazhdojnë të ruajnë dhe sot trajtën e vjetër.

Gjykimi i Neritan Cekës

Një qytet tjetër, prapë në Gjirin e Vlorës, më pak i njohur, por shumë i rëndësishëm, ishte dhe Triporti, i zbuluar nga Karl Paç në vitin 1904, një mur i çuditshëm që zgjatet nga kodra në drejtim të bregut. Ka ngjallur gjithmonë diskutime, pasi ishte një rrugë që lidhte qytetin e vogël në kodër me pjesën tjetër, duke menduar se ka patur një lagunë, apo mund të kishim një skelë. Gjatë gërmimeve të viteve ‘70 u sqarua se ishte një murr rrethues, që jep idenë e një vendbanimi shumë të madh, një qyteti të rëndësishëm.

Mungesa e ekspeditave arkeologjike

Të dhënat flasin se ekspeditat arkeologjike të viteve ’50-’70 gërmuan në sitet arkeologjike të rrethit të Vlorës, duke nxjerrë në pah qytetet kryesore të periudhës së antikitetit”. Në këtë kohë u zbuluan Amantia, Oriku, Olympia, Cerja, Triporti dhe mjaft monumente të tjera. Pas viteve ’80 gërmimet, siç rezultojnë të dhënat, kanë qenë më të pakta. Pas viteve ’90 u shuan fare ekspeditat arkeologjike. “Ndriçimi, që u hapi udhë gërmimeve arkeologjike, ishte ngritja e parqeve arkeologjike, të cilat sollën si rezultat afrimin e ekspeditave arkeologjike në rrethin e Vlorës. Mirëpo edhe kjo rreze dritësimi zgjati fare pak. Viti 2011 rezultoi me asnjë ekspeditë arkeologjike ndër sitet kryesore që ka rrethi i Vlorës. Ka qytete antike apo qendra të fortifikuara si Olympia, Cerja, Triporti, që kërkojnë gërmime. Vetë fakti i zbulimit të rastësishëm të një vendbanimi tregon se ekzistenca e ekspeditave arkeologjike për të zbuluar vendbanime të reja  është harruar tashmë në qarkun e Vlorës. (LajmeShqip.com)