Lajme Shqip Monday, 21 March 2011 13:27

Prishtinë – Trio harkore “Kosova” është ftuar nga asociacioni kulturor muzikor “Ellipsis” që të performojë para audiencës italiane në festivalin i cili nis rrugëtimin më 21 të këtij muaji dhe e përmbyll në ditën e tretë të gushtit. Në koncertin i cili do të mbahet të hënën, trios kosovare në skenë do t’i bashkohet edhe pianisti francez Bertrand Giraud, shkruan “Koha Ditore”. 

Violinisti Blerim Grubi ka dhënë më shumë detaje lidhur me koncertin dhe programin muzikor që treshja do të interpretojë para publikut italian.

“Me pianistin francez do të ekzekutojmë pianokuartetet nga kompozitori Johanes Brahms dhe Robert Schuman”, ka treguar ai.

Grubi ka shtuar se ftesa për këtë koncert i është adresuar nga “Ellipsis”, i cili ka qenë në dijeni me veprimtarinë muzikore të trios. “Pas disa koncerteve që kemi mbajtur në Italim si në Trevizo dhe Sicili, kemi treguar kualitet mjaft të lartë artistik dhe organizatorët e festivalit kanë shprehur dëshirë të na bëjnë ftesë të cilën e kemi pranuar me shumë kënaqësi”, ka thënë ai.

Për Grubin ky koncert është i rëndësishëm edhe për faktin se prezanton vlerat e muzikantëve shqiptarë para publikut italian.

“Si një artist që përfaqësoj Kosovën bashkë me kolegët e mi kam kënaqësinë të përfaqësoj vendin dhe kombin duke treguar kualitet profesional edhe jashtë kufijve kombëtarë”, ka thënë ai.

Violinistja Sihana Badivuku është shprehur e kënaqur që trio harkore “Kosova” ka arritur të depërtojë në skenën ndërkombëtare muzikore. “Mendoj që përkushtimi dhe puna serioze shumëvjeçare e trios, por edhe e secilit instrumentist të këtij ansambli tek tani po del në sipërfaqe me prezantime në festivalet e njohura evropiane”, ka thënë Badivuku.

Sipas Badivukut, ky prezantim për trion harkore “Kosova” do të jetë sfidë.

“Si ansambël harkor që jemi është sfidë profesionale të interpretojmë me pianistin e njohur francez Bertrand Giruad”, ka thënë ajo.

Violonçelisti Prosi është shprehur i kënaqur që ka rastin të bashkëpunojë me Grubin dhe Badivukun dhe ka shprehur dëshirën që trio të vazhdojë aktivitetin me prezantime të shumta ndërkombëtare.

“Shpresojmë që trio të ketë fat me përfaqësimet e mëtejme në aktivitete të ndryshme muzikore ndërkombëtare, duke e marrë parasysh momentin e vështirë të krizës globale që po e përjeton edhe komuniteti artistik”, ka thënë Prosi.