Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 18:00

Tiranë – Mijëra trëndafila të kuq janë blerë sot në dyqanet e Tiranës nga klientë të moshave të ndryshme, të cilët kanë vendosur t’ua dhurojnë njerëzve të tyre më të dashur në ditën e Shën Valentinit.

Shumica prej tyre kanë nisur që në orët e para të mëngjesit të blejnë trëndafilat që do të bëjnë dhuratë, ndërsa ambalazhimet speciale, sipas shitësve, kanë pasur dy deri në dhjetë trëndafila të kuq brenda.  Sipas tregtarëve të luleve në Tiranë, porositë janë kryer që një ditë më parë dhe kryesisht janë preferuar trëndafilat, por nuk kanë munguar edhe porositë për karafilat.

Por, edhe pse trëndafilat e kuq dhe çokollatat janë blerë me shumicë, gjatë kësaj dite ka patur edhe shumë puthje, ndërsa nuk kanë munguar dhurata të tjera të preferuara si CD me këngë dashurie, libra me të njëjtën temë, bizhuteri me gurë të kuq dhe aksesorë, veshje intime, si dhe një sërë dhuratash të tjera nga më të ndryshmet.

Në një nga dyqanet e luleve të Tiranës, thonë se për vit është i njohur përkushtimi i qytetarëve për të dhuruar lule në shenjë dashurie, por qytetarët blejnë veç trëndafilave dhe karafilave edhe lule të tjera jo në ngjyrë të kuqe, në varësi të shijeve dhe çmimit të luleve.

Gjatë kësaj dite thuajse pranverore, në rrugët e Tiranës është ndjerë atmosfera e festës, ndërkohë që udhëkryqet kryesore të kryeqytetit kanë qenë të zhurmshëm dhe me më shumë lëvizje se zakonisht.

Lorena, 17 vjeç, tregon se ditën e Shën Valentinit e ka nisur me një mesazh dërguar të dashurit të saj. Ajo thotë se “kjo ditë nuk është e vetme, por si të gjitha ditët e tjera ku njerëzit dashurojnë, mërziten, mirëkuptohen, e veçanta është një dhuratë më shumë. Gjithsesi Lorena rrëfen se do ta kalojë mbrëmjen e sotme me të dashurin e saj dhe miqtë në një nga lokalet e Tiranës, ku luhet muzikë “live”.

“Një nga dhuratat e kësaj dite feste janë edhe çokollatat, tortat në formë zemre, të cilat janë preferuar shumë për kremtimin e festës”, shprehet një shitëse në një dyqan ëmbëlsirash në Tiranë.

Momenti me rëndësi i festës për të dashuruarit ka qenë dhe përzgjedhja e restorantit ku do të drekojnë apo darkojnë, ndonëse ka edhe nga ata që kanë preferuar të qëndrojnë në shtëpi me familjet e tyre. Menuja e pëlqyer për këtë ditë është e shumëllojshme, që nga kuzhina shqiptare deri tek ajo europiane, e shoqëruar me verë të kuqe, si shenjë e dashurisë.

Trëndafili i Valentinit, simbol i pajtimit dhe dashurisë së sinqertë
Nëse i pyet të rinjtë në rrugë se përse kanë vendosur të blejnë trëndafila për të dashurit e tyre, në ditën e 14 Shkurtit, shumë prej tyre nuk gjejnë një përgjigje të saktë. Por, për Shën Valentinin, i cili në këtë ditë dërgoi tek Xhon Pastori nga Margery Brews një letër me fjalët “është e drejta ime për të qenë një Valentin i dashuruar sinqerisht”, ekziston dhe legjenda e bashkimit të dy gjysmave të zemrës me një trëndafil të vetëm, nga dy të rinj të zemëruar. Legjenda tregon se Valentini dëgjoi pas gardhit të kopshtit të tij dy të rinj që grindeshin, ndërsa këputi një trëndafil dhe iu afrua dy të rinjve. Ai u foli gjatë për pajtimin, duke arritur t’i bindë dy të rinjtë, të cilët me trëndafilin e Shën Valentinit në dorë, i luteshin Zotit.

Trëndafili i kuq u bë shumë shpejt simbol i dashurisë kur ata u kthyen tek shenjti Valentin dhe i kërkuan t’i lidhte në martesë. Që nga ajo ditë, Shën Valentini, i cili thirrej nga njerëzit vetëm për mort dhe fatkeqësi, u bë simboli i miqësisë dhe dashurisë së sinqertë.