Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 15:40

Tiranë – “Tre tenorët” do të rikthehen për koncertin e fundvitit në datën 4 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve, për të sjellë arie nga kryeveprat operistike botërore.

Në këtë përvjetor të dhjetë të koncertit “Tre tenorët” të ftuar janë tenorët italianë Francesco Malapena, Francesco Zingarello dhe Giacomo Mosca. Orkestra Filarmonike e Akademisë së Arteve, me drejtues orkestre Leonardo Quadrini dhe Bujar Llapaj, do të shoqërojë në koncert tre tenorët dhe këngëtarët e ftuar si sopranon Ramona Tullumani, Gaqo Çakon, Adrian Xhema, Sebastian Ferrad, etj.

Dhjetë vjet në Shqipëri organizatorët kanë tashmë përvojën e duhur për të ndërtuar një program që vë në pah aftësitë  interpretative të tenorëve. Ndërkohë që edhe këtë vit, ashtu si vitin që shkoi, pianisti Genc Tukiçi do të ekzekutojë në piano partitura të ndryshme.

Dirigjenti Quadrini ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe e njeh orkestrën, ndërkohë që pjesëmarrës për herë të dytë në koncertin “Tre tenorët” është dhe italiani Francesco Zingarello. Ndërsa tenori spanjoll Sebastian Ferrad, që kësaj here vjen si i ftuar, në edicion e tetë.

“Tre tenorët” është realizuar për herë të parë në vitin 2002  me producent Edmond Tullumanin dhe gjatë rrugëtimit të tij dhjetë vjeçar ka paraqitur gjithmonë elemente të ndryshëm në skenografi, repertor, skenar, etj.

Treshja e tenorëve, një numër që ka ngelur traditë që në fillim të këtij koncerti, është ndryshuar nga viti në vit duke sjellë të njohurit si Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Adrian Xhema, Gaqo Çako Agim Hushi, Armaldo Kllogjeri.