Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 17:00

Gjirokastër – “Organizmat e Bashkimit Europian në Shqipëri janë të gatshëm të mbështesin projektet për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të qytetit të gurtë”, tha Stefano Kalabreta, përfaqësues i Zyrës së Komisionit Europian në Tiranë, pas përfundimit të ceremonisë zyrtare të prezantimit të projektit ndërkombëtar “Vlerat europiane në trashëgimi”, zhvilluar sot në Gjirokastër. 
“Ne e konsiderojmë Gjirokastrën një simbol përsa i përket vlerave që mbart”, tha Kalabreta.
Sipas tij, Komisioni Europian vazhdimisht çel nisma për tërheqjen e projekt propozimeve në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë, si në rrafsh kombëtar, ashtu edhe atë rajonal. 
“Në këtë drejtim, ne jemi të gatshëm të mbështesim projektet cilësore në drejtim të mbrojtjes së tashëgimisë kulturore të Gjirokastrës”, tha Kalabreta.
Qyteti i Gjirokastrës shtrihet në jug të vendit, në shpatin e pjerrët lindor të Malit të Gjerë, rreth 230 kilometra larg Tiranës.
Gjatë viteve të fundit, zona historike është bërë mjaft atraktive përsa i përket numrit të turistëve vendas dhe të huaj. 
Sipas statistikave zyrtare nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit-Muze të Gjirokastrës (ZAKQMGJ), vitin e kaluar e vizituan këtë qytet mbi 25 mijë turistë, shifër kjo tepër e lartë në krahasim me një vit më parë.