Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 11:09

Tiranë – Presidenti Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot paradite, ngushëlloi familjarët e shkrimtarit të shquar shqiptar, Sulejman Krasniqi, i cili ndërroi jetë dje në Tiranë, në moshën 74-vjeçare.

“Me dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit me origjinë nga Kosova dhe njërës prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne, i cili me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

Përmes këtij mesazhi, Presidenti Topi shpreh vlerësimin më të lartë për personalitetin e spikatur të Sulejmanit në fushën e letërsisë, për vlerat e jashtëzakonshme njerëzore, si dhe për përpjekjet e angazhimin shumëvjeçar të tij në shërbim të ruajtjes e përçimit të vlerave historike kombëtare, të fitimit të lirisë së Kosovës dhe lartësimit të imazhit të kombit shqiptar.

“Duke ju gjendur shpirtërisht pranë në këto çaste të rënda, shpreh besimin se jeta dhe vepra atdhetare e Sulejman Krasniqit do të mbeten përherë të gdhendura me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë”, përfundon mesazhi i Kreut të Shtetit shqiptar.