Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 19:47

Shkodër – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cilësoi Ndre Mjedën si prijës të letrave shqipe, ndërsa poezitë e tij si më të papërsëritshmet gjatë aktivitetit “Përkujtimi i Mjedës” i organizuar sot në Kukël të Shkodrës, në homazh të 74-vjetorit të vdekjes së këtij personaliteti të shquar të letrave shqipe.

Aktiviteti u organizua nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fondacioni “Ndre Mjeda”, në mbështetje edhe të Arqipeshkvisë Shkodër.

Zonja Jozefina Topalli vizitoi ambientet ku jetoi e shërbeu Dom Ndre Mjeda, ekspozitën me fotografi dhe vepra të Mjedës, si dhe panairin e mbajtur me këtë rast me produkte karakteristike të zonës.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi këtë iniciativë të mrekullueshme dhe të merituar, që sipas saj i fton të gjithë në një moment reflektimi, meditimi dhe kujtese në nderim dhe respekt të trashëgimisë kulturore të Ndre Mjedës.

“Ndre Mjeda ishte kalorës prijës i letrave shqipe, pionier i hapjes së shkollave shqipe, më eleganti në poezi , më i papërsëritshmi në sonetet e tij. Ndre Mjeda ishte ndër deputetët e parë të Parlamentit të parë shqiptar më 1921”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Duke u ndalur tek një nga poezitë e mirënjohura të kollosit të letrave shqipe, “Andrra e Jetës”, Topalli tha se, “kjo poezi simbolizonte ëndrrën e jetës së kombit si dhe dashurinë e tij për kombin, për flamurin, për lirinë, për demokracinë”.

“Edhe sot, Mjeda me veprat e tij, na nderon ne të gjithëve dhe për këtë ne duam vetëm t’i shprehim mirënjohje këtij gjeniu. Ky qark dhe Shqipëria ka nxjerrë njerëz të mëdhenj dhe të jashtëzakonshëm, të cilët edhe sot përmes kontributit të tyre, e bëjnë jetën e çdo shqiptari më të bukur”, vlerësoi Kryetarja e Kuvendit.

Për kontributin në studimet mbi personalitetin e shquar të letrave shqipe të Mjedës, Jozefina Topalli, i dha Çmimin “Ndre Mjeda”, Mentor Quku.