Lajme Shqip Friday, 25 November 2011 17:30

Kosovë – Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari Riza Haziri dhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, kanë pritur të premten në takim një delegacion të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të  Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, të cilët një natë më parë shfaqën një etnomuzikal për publikun mitrovicas.

Duke falenderuar drejtorin e Teatrit të Operas dhe Baletit, Zhani Ciko, i cili udhëhiqte delegacionin, Kastrati  u shpreh se “keni nderuar qytetarët e Mitrovicës dhe gjithë Kosovës me shfaqjen madhështore në qendrën e kulturës në Mitrovicë”.

Në anën tjetër, Ciko u shpreh i lumtur që ndodhet në Mitrovicë pikërisht në prag të festës së Flamurit, duke e quajtur këtë si një koincidencë.

“Të shkelësh Kosovën, përkatësisht Mitrovicën në prag të kësaj feste, është një domethënie e madhe, prandaj emocionet e kësaj shfaqje ishin krejtësisht të veçanta”, u shpreh ai.

Ciko premtoi se teatri do të vij me këtë shfaqje edhe në vendet tjera të Kosovës.  Rreth interesimit të publikut mitrovicas për shfaqjen, ai theksoi se Mitrovica jo gjithmonë ka lajme të qeta dhe jo gjithherë ndodhë diçka që të ndjell interesimin për të shikuar shfaqje.

Andaj, shtoi ai, mbushja e sallës tej kapacitetit të teatrit dhe sidomos entuziazmi, tregoi që arti dhe dashuria për muzikën shqiptare triumfon mbi vështirësitë, sepse arti çon përpara shpirtin e njeriut, e mbush atë dhe krijon një apoteozë festive si kjo sonte.

Ndryshe një shfaqje e përsosur artistikisht bashkoi të enjten mbrëma në Mitrovicë një trupë profesionistësh të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit nga Tirana me solistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, të cilët kanë sjellur para publikut mitrovicas Shqipërinë e traditave artistike nga lashtësia deri në ditët tona.

Koncerti etnomuzikal i parë shqiptar “Rituali i jetës” i vënë në skenë në Mitrovicë për nder të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, ka sjellur në mënyrë të shkëlqyeshme autenticitetin e një kulture që vjen prej qindra vjetësh dhe është akoma e gjallë tek ne.