Lajme Shqip Sunday, 17 April 2011 14:31

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se “toleranca fetare është mesazhi më i mirë që kombi shqiptar i përcjell njerëzimit”.Kryeministri Berisha mori pjesë sot në koncertin festiv të organizuar në Pallatin e Kongreseve, me rastin e Ditëlindjes së Profetit Muhamed. 
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha se “sot nderojmë një nga datat më të mëdha dhe më të ndritura në historinë e njerëzimit, Ditëlindjen e Profetit Muhamed, Profeti i dritës, lirisë dhe barazisë”. 
“Ne nderojmë këtë ditë të bindur se rruga që ndjekim është rruga e dritës, rruga e dijes që përcolli Profeti Muhamed me mësimet e Zotit tek njerëzimi”, tha Berisha ndërsa theksoi se “Qeveria po bën gjithçka për shkollimin sa më të mire dhe dinjitoz të të rinjve shqiptarë”.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që pas një sistemi të tërë Medresesh, pak ditë më parë u përurua Universiteti i parë Islamik i botës shqiptare. Berisha garantoi të gjithë udhëheqësit e besimeve fetare shqiptare, se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur misionin e tyre të madh, rindërtimin e vlerave shpirtërore të kombit shqiptarë.
“Profeti që ne nderojmë sot ishte profeti i lirisë. Të ndihmojmë të shtypurit mysliman dhe jo mysliman ishte porosia e tij për të gjithë qeniet njerëzore. Sot jemi të gjithë të lirë dhe të vendosur të respektojmë si të shenjta dhe të paprekshme liritë tona dhe të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha. 
Ai theksoi se në kuadrin e NATO-s Shqipëria do ndihmojë çdo komb të shtypur kudo që ndodhet.
Bazuar në mësimet e Profetit Muhamed, Berisha kërkoi që të gjithë së bashku të punojnë me përkushtim për ta bërë më të barabartë shoqërinë shqiptare.
“Ne jemi një komb i vogël, por një komb i përjetshëm dhe përjetësia jonë qëndron tek besimi tek Zoti dhe toleranca fetare që ne duhet ta kultivojmë. Ju shpreh nderimin më të madh udhëheqësve të komuniteteve fetare që në këto 20 vite ndërtuan tolerancën fetare”, tha Berisha duke shtuar se “Shqipëria ka njohur vetëm një fondamentalizëm dhe ai është  fondamentalizmi ateist i regjimit totalitar”.