Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 14:31

Tiranë – Poeti amerikan Frederick Turner prezantoi sot, paradite, librin e tij të radhës me poezi, “Vendi i pazbuluar: Sonatat e një shtegtari”, të cilin e boton në Shqipëri, me parë se në vendin e tij.

Turner ka përmbledhur 60 sonata, të cilat, gjatë prezantimit në Hotel “Tirana International”, i cilësoi si një udhëtim personal jo real dhe mistik, por edhe si një thirrje për racën njerëzore për të vazhduar eksplorimin e botës.

“Sonatat e një shtegtari, është një metaforë për botën post moderne, është një eksplorim-studim psikoanalitik për memorien njerëzore, ndërsa politikisht, është një kundëride për një botë të re”, tha Turner.

Libri është përkthyer në shqip nga Gjekë Marinaj, i cili gjatë prezantimit, u shpreh se 60 sonatat e tij janë frymëzim i një eksperience personale të autorit i gjendur nga një sëmundje afër vdekjes.

“Këto sonata eksplorojnë një mënyrë të re të përvojës ekzistevciale, në të cilat gjejmë një shqetësim intelektual, ndërkohë që poeti i kthen 60 sonatat në 60 mënyra reflektimi”, tha Marinaj.

Sonatat e Turnerit në këtë libër mund të lexohen edhe si një poemë e vetme, si një udhëtim i autorit, ndërkohë që poezitë e tij janë forma klasike të letërsisë europiane, të sjella me një frymë moderne bashkëkohore.

Ndër tematikat e tjera që Turner trajton është dhe dashuria romantike, që sipas përkthyesit Marinaj, “autori e sheh si pjesë të dashurisë universale dhe e sjell të pikturuar me ngjyra të ndezura”.

“Marrëdhënia e dashurisë është një poemë e gjatë me një skenar të vështirë dhe me shumë karaktere” u shpreh vetë Turner.

Mbi 40 institucione letrare nga e gjithë bota e kanë konfirmuar vlerësimin e tyre ndaj këtij poeti, duke e propozuar për Çmimin Nobel për letërsi. Disa prej institucioneve letrare më prestigjioze të botës, i kanë akorduar atij çmimet e tyre më të larta letrare, si Levinson Prize dhe Milán Füst Prize.