Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 08:12

Tiranë – Drama “Shtrigat Salemit” e autorit Arthur Miller, me regji të Spiro Dunit, do të shfaqet premierë të enjten në mbrëmje në Teatrin Kombëtar, duke çelur sezonin artistik të këtij institucioni për këtë vit.

Regjisori Spiro Duni tha se ka punuar mbi një vepër klasike të shekullit të kaluar duke e sjellë me elegancë dhe artistikisht mesazhin e madh që ka vepra, fatin tragjik te individëve që përplasen në botën agresive dhe të egër.

Protagonistët e shfaqjes janë aktorët Timo Flloko dhe Eva Alikaj të cilët do të interpretojnë personazhet Xhon Proktor dhe Elisabet Proktor, ndërsa në role të tjera interpretojnë aktorët: Elia Zaharia, Fatos Sela, Drita Pelinku, Vasian Lami, Naun Shundi, Eni Jani, Flaura Kureta, etj.

Ngjarja e “Shtrigave të Salemit” zhvillohet në shek. XVII në Masaçusets, ku zien fushata kundër magjive dhe magjistareve dhe ku për një akuzë të tillë përfundoje në litar. Brenda një nate ky fshat u kthye në qendrën botërore të magjisë, dhunës dhe gënjeshtrës, ku të gjithë fjetën njerëz e në mëngjes u ngritën shtriga…!!!

Vepra e Miller-it ka në fokus Amerikën e viteve ’50, por regjisori Duni u shpreh se e ka konceptuar pa fillim dhe pa fund si përkatësi kohore.

Gjatë konferencës për shtyp drejtori i TK-së Kristaq Skrami tha se Teatri Kombëtar është duke vënë në skenë dramaturgji të  autorëve të  mëdhenj dhe një prej tyre është dhe Miller me këtë vepër të fuqishme.

“Shtrigat e Salemit” do të interpetohet në sallën e madhe të TK-së me skenografi të Bashkim Ahmetit, ndërsa aktorët do të luajnë me kostumet realizuar nga Anila Zajmi. Kjo shfaqje është premiera e parë e TK-së, për këtë sezon artistik, provat për të cilën kanë filluar rreth 50 ditë më parë per tu shfaqur nga  24-27 mars, ora 19:00.

“Shtrigat e Salemit” është shkruar nga Arthur Miller në vitin 1953 dhe të pakta janë teatrot në botë që nuk e kanë shfaqur në skenë të paktën një herë këtë dramë, kur në Shqipëri rikthehet pasi është vënë në skenë disa vite më parë.