Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 11:45

Tiranë – Shkrimtarët Faik Konica e Migjeni janë në qëndër të dy librave të rinj, që pritet të dalin në treg nga autorët Ilir Ikonomi dhe Behar Gjoka, të cilët do të sjellin me këto botime anë të panjohura të shkrimtarëve që sollën risi në letërsinë shqipe të asaj kohe.

E ndërsa gazetari i Zërit të Amerikës në Uashington, Ilir Ikonomi, e ka bazuar librin e tij biografik për Konicën në kohën kur ai përfaqësoi Shqipërinë e Zogut në kryeqytetin amerikan e deri sa vdiq në vitin 1942, studjuesi Behar Gjoka në librin e tij është bazuar në tekstin letrar të Migjenit dhe ka analizuar prozën dhe poezinë e tij.

Gazetari Ikonimi është bazuar në librin e tij në dëshmitë e zbuluara në arkivat amerikane, britanike dhe shqiptare dhe hedh dritë në disa aspekte të jetës personale të Konicës në Uashingon, si jetonte, si vishej, ç’mendonte për femrat etj.

“Faik Konica, Jeta në Uashington” zbulon marrëdhëniet komplekse të Konicës me Zogun, marrëdhëniet me qeverinë e SHBA-së, miqësinë dhe polemikat mes Konicës dhe Nolit si dhe komunikimet e Konicës me italianët gjatë luftës.

Libri me 420 faqe, përmban edhe rreth 60 fotografi disa të panjohura më parë si, ajo e kopertinës që e shkrepur vetëm 18 orë pasi italianët kishin pushtuar Shqipërinë dhe ku gazetarët kishin ardhur për ta fotografuar dhe për t’i marrë komente.

Ndërsa studjuesi Gjoka ka nisur këtë studim mbi Millosh Gjergj Nikollën (Migjeni), pasi sipas tij, veprat e tij janë lënë në hije ose janë studjuar në mënyrë sipërfaqësore. Behar Gjoka, studjues i Pjetër Budit, Mitrush Kutelit dhe të Martin Camajt, shprehet për Migjenin se me poezinë e tij ai ka kryer një revolucion të mirëfilltë dhe ato janë aktuale edhe sot.

Gazetari Ilir Ikonomi do të promovojë librin e tij ditën e premte, me 15 prill, ora 18:00 në Hotel “Tirana International”, ndërkohë që studimi i Gjokës për Migjenin pritet të botohet së shpejti.