Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 13:56

Tiranë – Sot, në ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, jo vetëm festohet në vende të ndryshme të botës, por zhvillohen edhe debate të ndryshme për problemet e librit në shek e XXI, ku një ndër ato është edhe raporti i librit të printuar përball atij të dixhitalizuar.

Fjala e shtypur në epokën dixhitale është diskutuar shpesh për të arritur në konkluzione sipas të cilave libri klasik është në rrezik nga libri lehtësisht i shkarkueshëm nga interneti dhe i aksesueshëm në kompjuter.

Zhvillimi teknologjik nuk mund të linte pas librin, mbartësin e dijes, që për lehtësi lëvizjeje, kohe, hapesire, ekonomike, etj, fut qindra e mijra faqe në ekranin e një iPad-i, lehtësisht të transportueshëm. Por çfarë vlere kanë faqe të tëra të printuara të një libri kur përmbajtja e tij është e njëjtë me atë që mund të lexosh në ekranin e kompjuterit?

Shkrimtari Agron Tufa, në një prononcim për ATSH-në, shprehet se marrëdhëniet e lexuesit me librin janë të ndryshme në të dyja rastet dhe kemi të bëjmë, sipas tij, me performanca leximore të dallueshme mes librit klasik dhe atij dixhital.

“Një vepër konceptohen në mënyra të ndryshme nga të dy këto prezantime. Teknologjia dixhitale sigurisht që përshpejton dhe lehtëson mënyrën e informacionit, por ajo shoqërohet me një dobësim të cilësisë”, tha Tufa.

Sipas tij, vetëm mundësia që ti mund t’i kthehesh fjalës në librin në letër, ta nënvizosh, impakti i letrës përball syrit e bën shumë më cilësor leximin dhe orjentimin meditativ të lexuesit me përvojë.

Të rinjtë e sotëm, të cilët kanë edhe raportin me të afërt me teknologjinë e fundit, janë ata të cilët kanë edhe kontaktin më të madh me librin dixhital. Studentja e gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë Maljena Xhema e cilëson më komod librin dixhital dhe se i ndodh shpesh që të lexoj faqe të tëra me sytë në ekranin e kompjuterit të saj.

“Kryesisht lexoj libra në anglisht, që shkarkohen falas, dhe është më praktike për mua të mbaj disa libra në një usb dhe të mund t’i hap sa herë të dua unë. Kostoja e printimit të tyre pastaj është e lartë për një student dhe metoda e leximit të tyre në kompjuter më duket e përshtatshme”, tha Maljena.

Nisur nga debati i djeshëm për të ardhmen e fjalës së shtypur në epokën dixhitale, zhvilluar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, përgjegjësja e departamentit të letërsisë në këtë fakultet, Dhurata Shehri, tha për ATSH-në se rreziku i librit klasik në Shqipëri është ende i vogël.

“Duke patur parasysh faktin se edhe interneti edhe paisjet e teknologjisë së lartë në Shqipëri janë ende në hapat e parë, jo nga pikëpamja e futjes por nga pikëpamja e përhapjes që është relativisht e vogël, mendoj se për disa dhjetëvjeçarë libri në Shqipëri do të mbijetojë”, tha Shehri.

Për shkrimtarin Agron Tufa performanca dixhitale është e dobishme, madje e rekomandueshme, kur kërkohet të krijohet marrëdhënie me informacionin në kuptimin thjeshtë të informimit, por sipas tij duhet të kemi marrëdhënie jetime me të dy mënyrat e leximit të një teksti.

“Teknika dixhitale shkakton një dobësim cilësor të lexuesit sepse ajo është menduar për përshpejtim informacioni dhe nuk mund ta zëvendësojë traditën klasike të servirjes së librit pasi ajo hipotekon një histori shumë më të gjatë dhe të hershme”, tha Tufa.

Në lidhje me dixhitalizmin e librave gjigandi i botës kompjuterike Google ka prezantuar planin që ka për të skanuar të gjithë librat që qarkullojnë në glob, dhe t’i ofrojë ato përmes faqes së tij në internet. Një plan që është mbështetur nga disa Universitete të Amerikës dhe është kundërshtuar nga akademikë, autorë dhe kompani rivale të teknologjisë së lartë.