Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 16:15

Tiranë – Disa botues dhe njerëz të njohur të librit e të kulturës shqiptare, kanë krijuar Shoqatën e Librit Shqip me qëllim kryesor që botuesit, shkrimtarët, përkthyesit dhe të gjithë njerëzit e kulturës të kenë mundësi më të mira të përfaqësimit të librit në gjuhën shqipe.

Në njoftimin për shtyp të Shoqates së Librit Shqip thuhet se kjo shoqatë do të ruajë standartet e padisktuara për librin, siç janë respektimi rigoroz i së drejtës së autorit, paraqitja estetike e çdo botimi, kujdesi për gjuhën shqipe dhe kontrolli i përhershëm i përkthimeve.

“Shoqata e Librit Shqip dëshiron të përfaqësojë sa më mirë interesat e botuesve shqiptarë që aderojnë në të kundrejt institucioneve shtetërore dhe organizmave të ndryshme ndërkombëtare dhe që kanë të bëjnë me librin dhe me kulturën në përgjithësi”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Kjo organizatë jo-fitimprurëse është njohur nga Gjykata e Rrethit Tiranë me kryetar të parë përkthyesin Ardian Klosi dhe sekretare kryesie botuesen Arlinda Dudaj.

Deri tani anëtarë të ShLSh-së janë Botimet Dudaj, Botimet IDK, Botimet k&b, Botimet Kult, Botimet Omsca, Botimet Skanderbeg Books, Botimet Toena, ndërkohë që anëtarësia është e hapur edhe për çdo botues tjetër pranon organizimin e brendshëm të Shoqates.

Sipas Shoqates së Librit Shqip, libri është fytyra e kulturës sonë dhe ai duhet të shprehë sa traditën shqiptare të librit aq edhe risinë, vulën e përgjegjshmërisë dhe formën e bukur estetike.

ShLSh është e organizuar me parimin e sindikatës së lirë ku të gjithë anëtarët e saj janë me të drejta të barabarta, paguajnë kuotizacionin dhe janë pjesë e vendimmarrjes, ose në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të përfaqësuar nga kryesia e shoqates.

Shoqata e Librit Shqip do të organizojë javën e ardhshme aktivitetin e saj të parë, Panairin e Librit të Vlorës.