Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 16:37

Tiranë – Kodikët e Shqipërisë për herë të parë përmblidhen në dy volume të rëndësishme, të cilët u prezantuan paraditen e sotme në Arkivin e Shtetit.

Kopjet e para të këtyre dy vëllimeve të rëndësishme iu dorëzuan drejtores së Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, nga studiuesja bullgare Aksinja Xhurova, e cila për 3 vite e gjysmë është marrë me studimet e kodikëve, që i përkasin shekullit 6 – 14 dhe që i pasqyroi në dy libra në gjuhën franceze dhe bullgare.

Njëri prej librave ka të përfshirë elementë studimorë, ndërsa tjetri është në formë albumi, ku pasqyrohen kodikët përmes fotografive, që shoqërohen edhe me shpjegime përkatëse.

“E veçanta e këtij studimi është se kodikët krahasohen me kodikë të huaj dhe aty nxirren të veçantat dhe të përbashkëtat e tyre. Kodikët do të paraqiten në Kongresin e Sofjes të këtij viti, ku marrin pjesë 1150 pjesëmarrës nga e gjithë bota”, u shpreh Nevila Nika, Drejtoresha e Arkivit Shtetëror.

Studjuesja Aksinja Xhurova tha gjatë prezantimit të librave se ato përmbajnë studime të periudhave të ndryshme, artikuj, etj.

“Puna ime në bazë të këtyre botimeve është që të jap një vëzhgim për lokalizmin më të saktë të tyre dhe për datimin e tyre të saktë”, tha Xhurova

“Jam shumë e lumtur që këto dy vepra të rëndësishme panë dritën e botimit. Kam kënaqësinë të falënderoj shumë mbështetjen e madhe të zonjës Nevila Nika si dhe bashkëpunëtorëve të mi shqiptarë për përmbledhjen e këtyre kodikëve në dy vepra. Kodikët e Shqipërisë janë mjaft të veçantë, por ishte e rëndësishme që ato të përkthehen në gjuhë të ndryshme që t’i bëhen të ditur studiuesve të huaj. Por gjatë kësaj pune do të veçoja kodikun e 10 të Vlorës, që është një ndër tre kodikët më të rëndësishëm në botë”, tha Aksinja Xhurova, studiuese e studimeve sllave dhe bizantine.

Kodiku më i vjetër i Shqipërisë i përket shekullit të 6 dhe është ai i Beratit.