Lajme Shqip Saturday, 08 September 2012 18:36

Tiranë – “Seksi i shpërfillur”nga Oriana Fallaci. E nisur në një udhëtim nëpër botë, me synimin e veçantë Lindjen, gazetarja italiane Oriana Fallaci përshkon Pakistanin, Indinë, Malajzinë, Hong-Kongun, Japoninë, Havain, etj. Ajo zbulon si jetojnë në të vërtetë gratë e rruzullit tokësor, sidomos ato të Lindjes. Përshkrimet ekzotike ndërthuren me drama të mëdha të jetës së seksit të shpërfillur. Ajo takon gra të mbuluara me perçe, matriarkat, geisha, konkubina, gra të pushtetshme, gra të varfra me fëmijët në kurriz që ecin me këmbë të fashuara e fytyrë të mbuluar. Libri është një botim i “Max” dhe kushton 500 lekë.

“Bombë në Beograd” nga Albatros Rexhaj. Ky është roman i zhanrit triller, i shkruar në stilin e prozës filmike. Ngjarja zhvillohet në verën e vitit 1998. Romani e tregon në mënyrë koncize pastërtinë e luftës, moralin dhe kodin e ushtarëve të lirisë. Zbërthimi niset prej këndit se përkundër sfidës dhe tundimeve të brendshme, emocione këto krejtësisht njerëzore, luftëtarët e lirisë e kanë zgjedhur etikën ushtarake si udhërrëfim për ballafaqim me armikun. “Një ngjarje e imagjinuar, megjithatë ngjashmëritë me persona dhe ngjarje reale janë të mundshme”, thuhet në kopertinën e pasme të librit. Romani është botuar nga shtëpia botuese “Dudaj” dhe kushton 800 lekë.

“Burri dhe gruaja; Vallëzimi i jetës” nga Osho. Osho, autor bestseller në shumë shtete të botës bashkon filozofinë e Lindjes dhe Perëndimit. Ai tregon se marrëdhëniet mes njerëzve duhet të mbështeten në dashuri dhe respekt reciprok. “Puna ime është t’ju çliroj nga dualizmi i burrit dhe i gruas”, thotë Osho. Jin dhe Jang, burri dhe gruaja janë dy pole të jetës mbi tokë. Libri është botuar nga “Fan Noli” dhe kushton 800 lekë.
(LajmeShqip.com)