Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 13:21

Tiranë – Do të përcillet sot për në banesën e fundit shkrimtari i madh shqiptar, Balzaku i letrave shqipe, Sulejman Krasniqi. Për të nderuar figurën e tij do të zhvillohen homazhe në hollin qendror te Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, nga ora 12:00 – 14:00. Shkrimtari 74 vjeçar ndërroi jetë mëngjesin e 16 korrikut në banesën e tij në Tiranë, njohtojnë mediat shqiptare.

Sulejman Krasniqi u lind në Hoçë të Vogël të komunës së Rahovecit, më 7 dhjetor 1937 në një familje atdhetare kosovare. I formuar intelektualisht në gjimnazin e Prizrenit dhe patriotikisht në rrugët dhe shtëpitë e tij, Sulejman Krasniqi vuajti si i mitur burgun famëkeq serbosllav, ku u qëndroi në mënyrë stoike torturave mizore.

Aty, karakteri i tij u formësua e u brumos me dëshirën e flaktë për lirinë e atdheut të tij të robëruar dhe u betua me shpirt e zemër që gjithë jetën t’ia përkushtojë atdheut, Kosovës së robëruar dhe bashkimit të trojeve shqiptare. I detyruar të arratiset në Shqipëri dhe me betimin e përjetshëm për të dhënë gjithçka për çështjen kombëtare, u vendos në “tokën mëmë”, kreu studimet universitare dhe gjeti mënyrën më të mirë për t’i shërbyer çështjes: shkrimet. Ngriti në art figurat historike të kombit duke i kthyer në mite të pavdekshëm. I bëri ballë presioneve e internimeve në Shqipëri vetëm për hir të kombit. Shkriu pasurinë, vuri në shërbim familjen dhe jetoi me Kosovën në mend e sy. Për 60 vjet me radhë nuk reshti së menduari për të. 60 vjet pa parë familjen, motrat, shtëpinë dhe trojet e tij. Dita më e bukur siç thoshte edhe vetë, ishte çlirimi i Kosovës dhe udhëtimi i tij në autobusët e të dëbuarve që ktheheshin në qershor të 1999-ës.

“U largova i vetëm, po kthehem me tre trima” tha ai kur kapërceu kufirin e dhunshëm pasi u kthye me tre fëmijët e rritur me të njëjtën dashuri për Kosovën.

Në jetën e tij letrare mbarështroi mbi 20 vepra historike e shumë artikuj e shkrime gazetareske. U nderua me çmime si atë të Republikës më 1981, me romanin Mic Sokoli si dhe me çmime të ndryshme letrare, u dekorua me medalje e urdhra pune, por mirënjohja më e madhe për të ishin vlerësimet e publikut, mirënjohja e luftëtarëve të lirisë që i frymëzoi me veprën e tij. Vitet e fundit, megjithëse i sëmurë, nuk iu nda penës. Krahas veprave la pas tre fëmijët e tij, Albanën, Sokolin e Derandin dhe bashkëshorten Mirën që iu përkushtua dhe mbeti personi më i afërt për të deri në frymën e fundit.