Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 13:25

Tiranë – Galeria Kombëtare e Arteve ka shpallur konkursin e vitit 2011 për Projektin “Krijimi i Fondit Publik për Artistë Emergjentë në GKA” që synon krijimin e një perspektive për të ardhmen e artistëve dhe kuratorëve të rinj.

Ky projekt do të realizohet mbi bazën e konkurimit dhe do të shpallen fitues vetëm katër të rinj, të cilët do të bëhen pjesë e grupeve organizuese në Galerinë Kombëtare të Arteve, sipas nevojave institucionale.

Fituesit do të përfshihen brenda grupeve artistike të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe do të marrin pjesë rregullisht në të gjitha projektet e planifikuara për vitin 2011, ku për secilin do të ketë program të veçantë pune të miratuar nga Drejtoria e GKA-së.

Për të vlerësuar përfituesit e projektit “Krijimi i Fondit Publik për Artistët Emergjentë” do të ngrihet një juri që do të bëjë përzgjedhjen dhe vlerësimin e dosjeve të kandidatëve pranë Galerisë Kombëtare të Arteve.

Sipas njoftimit për shtyp të GKA-së, objektivat e këtij projekti konsistojnë në rivitalizimin dhe sjelljen e energjive të reja nga këto kontigjente artistësh, ndërtimin e një rrjeti specialistesh dhe kuratorësh të rinj në rajon, ndërtimin e projekteve të përbashkëta me ta etj.

Periudha  e këtij projekti, zhvilluar për të tretin vit, do të jetë prill – dhjetor 2011, ndërkohë që deri në datën 24 prill artistët e interesuar duhet të dorëzojnë dosjet për t’u shpallur fituesit në 26 prill.

Ky konkurs, në të cilin mund të konkurojnë të gjithë ata që aspirojnë karrierën në të gjitha drejtimet e spektrit të artit pamor (pikturë, skulpturë, kurim aktivitetesh artistike, menaxhim, restaurim etj), mbështetet në urdhrin e MTKRS Nr. 76, datë 15.03.2011.