Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 08:32

Tiranë – “Leksioni” i Eugene Ionecso-s është premiera e radhës që po shfaqet në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar, një dramë absurde me në thelb një teatër thellësisht politik.

Një profesor i moshuar, i cili i jep leksione në shtëpinë e tij një vajze maturante, janë personazhët ku përqëndrohet ngjarja, interpretuar nga Vasjan Lami dhe Marsela Lena, ndërsa rolin e shërbëtores e luan Natasha Sela.

Drama me një akt ka sjellë edhe një herë në Tiranë regjisorin Frantz Helmer, i njohur për vënien në skenë të komedisë së Molierit “George Dandin” në Akademinë e Arteve apo për rolin e mjekut në dramën “Vojcek” e Georg Büchner-it.

Helmer kësaj here sjell në TK një vepër për të cilën shprehet se ka kohë që e mendon dhe e sjell në kuadër të 101 – vjetorit të lindjes së autorit, Ionesco. Ai ka zgjedhur këtë vepër pasi, sipas tij, është një teatër thellësisht politik.

“Kisha dëshirë të ndërtoja një pjesë skenike, por dhe pjesa politike ndërthuret me atë artistike për të sjellë në skenë veprën teatrore”, është shprehur Helmer në prononcimin për mediat.

Në leksionin që autori do të japë, komikja ndërthuret me tiraninë e mësuesit, i cili përpiqet qëllimisht t’ia vështirësojë mësimin vajzës për të gjetur edhe motivin e nervozizmit të tij, që agravohet deri sa “detyrohet” ta vrasë atë.

Me skenografi dhe kostume te Genc Mulliqit, Lami dhe Lena sollën për publikun një orë mësimi, e cila përfundon me vrasjen e nxënësve, një veprim absurd dhe i pa besueshëm dhe për këtë arsye autori e vë ngjarjen në një vend dhe kohë diktatoriale

“Personazhi i profesorit përmbledh gjithë farat e karaktereve njerëzore brenda vetes. Ai është timid, është shpirtëror, poetik, është agresiv, i dhunshëm. Nuk e di se çfarë do të shihni ju në shfaqje”, është shprehur Lami në rolin e protagonistit.

Në fund të shfaqjes, pas një “beteje” të gjatë fjalësh pa logjikë dhe vdekjes së vajzës, drama mbyllet me shërbëtoren e profesorit që përshëndet një nxënëse të re të tij.

“Leksioni” do të shfaqet edhe gjatë një turi në Teatrin “A. Z. Çajupi” në Korçë më 25 maj; në Teatrin “Skampa” të Elbasanit më 26 maj; në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës më 29 maj dhe në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani” në Berat, më 3 qershor.