Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 21:27

Tiranë – Piktori Ali Oseku çeli pasditen e sotme ekspozitën e tij të parë vetiake në Galerinë Kombëtare të Arteve, një prezantim telajosh të mëdha, të konceptuara si hapësira pa kufi, plot dritë, ku dominojnë ngjyrat.

Artisti nuk preferon të flasë shumë për krijimet e tij, por i pëlqen të dijë se ç’mendojnë të tjerët për të, ndaj dhe pikturat e tij janë pa titull sepse, sipas tij, çdo kush mund t’i vendos titullin që percepton.

“Këto piktura janë vijim i punës sime mbi peizazhin, i cili shfaqet herë poetik, e herë mistik, ndonjëherë si det, ndonjëherë si qiell me yje apo fushë. Pikturat e mia janë të vërteta, unë përzgjedh nga natyra realitetin dhe pas atyre që përjetoj del vepra ime”, tha Oseku për ATSH-në.

Oseku shprehet se i pëlqen hapësira pasi aty ndihet i lirë për t’u shprehur, ndaj dhe pikturat e tij nuk kanë kufij.

Kuratorja Suzana Varvarica, në një prononcim për ATSH-në, tha se tek Oseku shikon ngjyrën dhe si ai vlerëson atë të parën, krijon për të bërë ngjyrën dhe më pas peizazhin.

“Për mua Aliu është ngjyra. Ai vlerëson atë të parën dhe pastaj elementët e tjerë”, tha Varvarica.

Në këtë barazim që Suzana Varvarica vë mes piktorit dhe ngjyrës, bie në sy dashuria që ai ka për ngjyrat e çelura, që Oseku e shpjegon duke thënë se artisti duhet të ketë dritë artistike dhe ndjenja shpirtërore poetike.

Nëse Varvarica sheh tek ai ngjyrën, piktori Gazmend Leka e cilëson atë si një artist që pikturon boshllëkun. “Ke tjetër hartë në dorë për të lëvizur në sipërfaqet e mëdha që ti krijon. Lëviz midis piklave dhe i quan shi, midis njollave dhe i quan gjurmë, midis hijeve dhe i quan re, kodra, shtëpi, pemë.”, shkruan Leka në hyrje të galerisë.

20 pikturat e ekspozitës së tij përmbajnë misterin, brenda të cilit Oseku shprehet se e do, e ka pjesë të veprave të tij, në një mënyrë që gjithkush të perceptojë objektin që do.

Pikturat në dukje të thjeshta, të teknikës vaj në kanavacë, janë ndërtimi i reales nëpërmjet abstraktes, ku në disa, horizonti mezi shquhet e në të tjera nuk ekziston.

Ali Oseku, edhe pse vjen për herë të parë me një ekspozitë personale në GKA, ka ekspozuar disa herë krijimet e tij në galeri private në Tiranë, ndërkohë që pikturat e tij janë ekspozuar edhe në Bruksel, Ludvigsburg, Greqi, Vjenë, Stamboll, Zagreb, Varshavë, Padovë, Paris, etj. Piktori është fitues i çmimit të dytë në “Onufri-1995”, i çmimit të parë në ekspozitën kolektive “Eduard Lir”, etj.