Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 19:16

Tiranë – Institucionet kulturore në Tiranë parashikojnë këtë fundjavë dhe në javën në vazhdim disa aktivitete për publikun. Disa prej tyre janë:

Teatri Kombëtar i Komedisë shfaq këtë të shtunë dhe të dielë, ora 20:00, shfaqjen “Fqinjët”, nën regjinë e Alfred Trebickës. Vepra është shkruar nga dramaturgu  Ruzhdi Pulaha, interpretimi i së cilës do të bëhet nga aktorët Violeta Trebicka, Marjana Kondi, Gëzim Rudi, Adelina Muça, Dasara Xhangolli, Marsias Lila, etj. Përmes situatave dramatike, tepër emocionuese dhe plot humor, autori sjell mesazhe dhe ide që gjithsecili i ka ndeshur, ndërsa nëpërmjet nënteksteve hedh dritë mbi shumë të vërteta historike dhe njerëzore.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve qëndron e hapur ekspozita  e piktorit Ibrahim Kodra, “Shqipëria fantastike”. Ekspozita nis me pikturën e parë të Kodrës, “Tirana”, e realizuar në vitin 1938 dhe pas rrugëtimit në pikturat e tij ndër vite, ekspozita mbyllet me veprën e fundit të piktorit, e realizuar në janar të vitit 2006, një muaj para se të ndahej nga jeta. “Shqipëria fantastike” përmban dhe vepra  nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe vepra nga koleksione te ndryshme private brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Një grupi artistësh kanë çelur ditën e premte në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën “Pranverë Art” me imazhe të larmishme, forma mbresëlënëse dhe ngjyrime të pastra.  Ekspozita e piktorëve Lekë Tasi, Pano Kondo, Kastrot Çelmeta, Bujar Zajmi, Arben Golemi e shumë te tjerë, përmban punime abstrakte, reale, natyra të qeta, instilacione, kompozime, portrete, mesazhe për globalizimin, nudo, etj. Ekspozita e rreth 70 artistëve, me punime të gjinive të ndryshme të artit pamor do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 prill.

Arena e cirkut të Metropolit çdo të shtunë dhe të dielë, vazhdon të shfaqë deri në datën 30 qershor, ora 11:00 pjesën “Thesaret e cirkut”. Shfaqja ka një larmi numrash të interpretuar nga artistët e mirënjohur si dhe artistet më të rinj të trupës së cirkut. Në programin e saj janë përfshirë të gjithë zhanret tradicionale të cirkut si numrat e shpejtësisë, numrat me kafshë, xhonglimi, kllounata, akrobacia e numrat e lartësisë.

Në datën në kinema “Millenium” vazhdon të shfaqet premiera e filmit  shqiptar “Pharmakon”. Ky film me regji dhe skenar të Joni Shanajt  flet për rrugëtimin e një të riu drejt rritjes e pjekurisë, dhe kërkimin e së vërtetës, në një periudhë të pështjellë e molepsur, jo vetëm në jetën personale të personazhit kryesor, por edhe të superstrukturës dhe vendit ku ai jeton. Interpretojnë Olta Gixhari, Klevis Bega (Kastro Zizo).
Në kinema “Millenium” po shfaqet një tjetër premierë botërore e quajtur “American pie Reunion”. Ky film eshte i zhanrit komedi, me regji dhe skenar të John Hurwitz. Interpretojnë aktorët Jason Biggs, Alyson Hannigan and Seann William Scott. (LajmeShqip.com)