Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 18:30

Tiranë – Institucionet kulturore në Tiranë parashikojnë disa aktivitete për publikun këtë fundjavë dhe në vazhdim. Disa prej tyre janë:

Teatër:

Teatri i Metropolit do të shfaq çdo të enjte, të premtë, të shtunë dhe të diel, ora 20:00, dramën “Shtëpia e Bernarda Albës” të regjisorit Kiço Londo në sallën “Shekspir”. Vepra e Federiko Garsia Lorkës do të interpretohen nga Luiza Xhuvani, në rolin e protagonistes, ndërkohë që në role të tjera interpetojnë aktoret: Roza Anagnosti, Erjona Kakeli,Adriana Tolka, Mirela Naska, Ermira Hysaj, Esela Pysqyli dhe Taulanda Jupi. Pesë vajza në kërkim të pasionit erotik të ndrydhur. Një Bernardë, e obsesionuar nga konceptet e nderit dhe traditës. Një gjyshe e burgosur nga e bija. Në një ambient uji, vajzat ndjellin dëshirat seksuale.

Në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit do të rishfaqet komedia “Lagjja 45” regjisorit Gent Bejko. Pjesa është e mbështetur në një lagje që gjendet rëndomtë, karakteret janë ata që na rrethojnë në jetën e përditshme. Një komedi e bazuar në jetën e përditshme, në 24 orëshin e një qyteti. Nga një keqkuptim krijohet një thashethem i madh. Në komedinë e improvizuar, deri tek kostumet dhe skenografia nga aktorët, do të interpretojnë Erblin Bajko, Klodi Keco, Kristiana Dodaj, Gerti Ferra, Irgen Çela, Arjeta Dhima, etj. Shfaqja do të jepet në datat 11, 15, 16, 18 dhjetor, ora 20:00.

Teatri Kombëtar do të shfaq këtë të shtunë dhe të diel, ora 19:00, shfaqjen “Amadeus” nga Altin Basha. Aktorët Fatos Sela dhe Marin Orhanasi ishin Moxart dhe Salieri, protagonistët e dramës psikologjike të autorit anglez Peter Schaffer, që luftojnë për të zënë vendin e dirigjentit të orkestrës së oborrit mbretëror të Jozefit të dytë. Në role të tjera interpretojnë aktorët: Eni Jani, Gazment Paja, Romir Zalla, Gjergj Mena, Vangjel Toçe, etj. Drama e Schaffer është premiera e parë e këtij sezoni artistik të TKOB-së dhe do të vazhdojë të shfaqet çdo fundjavë, ora 19:00, në skenën “Kadri Roshi”.

Arte pamore:

Galerinë Komëbëtare të Arteve qëndron e hapur ekspozita “Nëntori 2012”. 29 piktorë kanë ekspozuar krijimet e tyre artistike, në sallën e ekspozitave të përkohshme të GKA-së e cila ka mbledhur një shumësi teknikash dhe stilesh vizatimi si dhe portrete e peizazhe të hedhura në telajo. Në këtë edicion të 14-të të ekspozitës “Nëntori” ekspozohen për publikun 50 punime të artit kontemporan, por jo vetëm, ku nuk mungojnë peizazhet plot ngjyra, portrete sensuale femërore si dhe stile pop-art vizatimi. “Nëntori” do të qëndrojë e hapur deri në 16 dhjetor.

Teatër për fëmijë:

Teatri i Metropolit për fëmijë do të shfaqë çdo të shtunë dhe të diel, ora 10:30, dy premierat e  reja “Maçoku me çizme” me regji të Nelson Mullën dhe “Tomi, Xherri dhe Spajk” në regjinë e Oriana Camës. Shfaqjet do të luhen në sallën “Çehov” deri në fund të këtij viti.

Filma:

Kinema “Millennium” shfaq filmi “Anonymous”, një trilleri dramatik që risjell epokën shekspiriane dhe dilemat e saj. Filmi  me regji të Roland Emmerich dhe Skenar të John Orloff trajton një çështje që ka intriguar vazhdimisht akademikët dhe mendjet e ndritura të shekullit: Kush i krijoi në të vërtetë veprat e Uilliam Shekspirit? Drama triller e cila ka në kast Vanessa Redgrave në rolin e Mbretëreshës Elizabeta dhe Rhys Ifans në rolin e Eduard de Ver merr shtysën nga një teori tepër e famshme sipas së cilës Uilliam Shekspir nuk është autori i vërtetë i veprave që i atribuohen atij.