Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 16:45

Tiranë – Kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë do të festojë nesër 22 marsin, ditën e parë të demokracisë në Shqipëri.

Në nderim të kësaj dite, Shoqata “Tirana” në bashkëpunim me institucionet vendore, do të organizojë një sërë aktivitetesh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Ministrisë së Brendshme dhe sheshit “Nënë Tereza”.

“Sot pas 20 vitesh mund të themi se Tirana, kryeqendra e shqiptarëve, është një metropol i zhvilluar, sot të gjitha rrugë të çojnë në Tiranë. Askush nuk mund ta imagjinonte këtë para 20 vjetësh. Një realitet për krijimin e të cilit kanë kontribuar në vite, pa dallim, të gjithë qytetarët, intelektualë, sipërmarrësit, institucionet vendore, politikanë, artistë, etj. Dhe ky realitet e ka zanafillën pikërisht në 22 marsin e vitit 1992”, u shpreh kryetari i shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj.

Ai bëri të ditur për mediat programin e festimeve të këtij përvjetori, i cili parashikon një seri aktivitetesh që do të fillojnë nga paraditja  deri në mesditën e nesërme.

Për organizimin e këtyre aktiviteteve, shoqata “Tirana” ka kërkuar nga organet e rendit që të pezullojë lëvizjen e automjeteve në një pjesë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Tafaj ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të marrin pjesë në këto aktivitete festive në kremtim të ditës së triumfit të demokracisë.