Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 11:51

Tiranë – Dita e Verës, e quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, një festë tradicionalisht shqiptare, një festim pagan që adhuron perënditë e luleve dhe pemëve, do të festohet nesër në qytetin e Tiranës me një seri aktivitetesh.

Festimet do të fillojnë me turin e Bashkisë e Tiranës deri në Sheshin “Nënë Tereza”, për të vijuar më pas me panairin “Javët e Biznesit Kombëtar”, i cili bashkon biznese të të gjitha trevave Shqiptare, Kosova, Mal i Zi, Maqedoni, Presheva e Shqipëria. Ky panair shqiptar do t’i presi qytetarët në rrugën “Murat Toptani”, me performancën e Ansamblit të Qytetit.

Më tej do të kompozohet qyteti i artit në Lulishten “3 Vëllezërit Frashëri”. Dekorimi i kësaj qyteze do të shoqërohet me muzikën e një bande rock dhe do të rrethohet nga piktorë rruge e piktura të punuara nga nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”.

Edhe për fëmijët do të ketë një ‘qytet’. Nën atmosferën e personazheve të “Disney Land” do të organizohen lojra për të gjithë fëmijët në lulishten në qendër të qytetit nga animatorë profesionistë. Të gjitha lojrat do të shoqërohen me shfaqjen teatrore të QKT  “Shkopi magjik” dhe me performancën artistike të fëmijëve të talentuar të qendrës “TEN”, pranë “Parkut Rinia”.

Festimet do të kulmojnë në sheshin “Nënë Tereza” me karaoken që do të organizohet me pjesëmarrjen e disa këngëtarëve të mirënjohur. Shfaqja do të transmetohet në një ekran gjigand të skenës, nga e cila do të ftohen qindra qytetarë të këndojnë drejtpërsëdrejti këngë të mirënjohura.