Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 08:45

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha e cilësoi piktorin kosovar Muslim Mulliqi si “një nga kollosët e arteve pamore të kohës shqiptare”.

I pranishëm në çeljen e ekspozites me krijimtarinë e piktorit Mulliqi në Galerinë e Arteve në Tiranë, Berisha tha se “Muslim Mulliqi në jetën e tij relativisht të shkurtër ia doli të përfaqësojë gjeninë krijuese të kombit tonë në mënyrën më të arrirë dhe dinjitoze. Ai në vepren e tij paraqiti realitetin, të cilin e frymëzonte atë, paraqiti ëndrrën e tij, qëndresën, luftën e popullit të tij me një mjeshtëri dhe një nivel artistik të pashoq”.

Sot, vijoi kreu i qeverisë, ne do të kemi kënaqësinë të kemi veprat e tij para artdashësve tiranas, sikundër kohë më parë këtë kënaqësi e kanë patur artëdashës nga vende të ndryshme të Evropës.

Ndërkohë, theksoi Berisha, “sa më shumë prezantojmë para artdashësve kulturën e kombit tonë, aq më shumë intensifikojmë krenarinë kombëtare”, duke e cilësuar veprën e piktorit të madh të kombit si kurorë të kulturës shqiptare.

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha theksoi se veprat e artistit Mulliqi janë në prag të lulëzimit.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe shumë personalite nga fusha e kulturës dhe artit shqiptar dhe atij kosovar.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Memli Krasniqi, shprehu kënaqësinë e veçantë të pjesëmarrjes së tij në këtë eveniment të kulturës shqiptare, përmes së cilës prezantohen vlerat historike të vendit për periudhën kohore 1970-1990.

Krasniqi tha se në prioritetet e programit të dikasterit që drejton është thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e kulturës, në mënyrë që të njohim më mirë historinë dhe vlerat e popullit tonë.

Ekspozita ‘Vepra 1970-1990″ e piktorit kosovar Muslim Mulliqi, që është ndarë nga jeta në vitin 1998, është ekspozita e parë e tij që është çelur në Tiranë dhe do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill.

Mulliqi është cilësuar nga kritikët e artit si piktori i parë i artit modern në trevat shqiptare.

Krijimtaria artistike në 20 vite e piktorit kosovar Muslim Mulliqi vjen për herë të parë në një ekspozitë personale në kryeqytet, e çelur pasditen e sotme në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita “Vepra 1970-1990” përfshin rreth 30 piktura të teknikës së vajit mbi pëlhurë dhe mbi dru, në të cilat ndërthuret folklorizmi me bashkëkohoren.

Kuratorja e kësaj ekspozite, Suzana Varvarica, tha se ky koleksion i pikturave të Mulliqit është i mbushur me disa tema, ndër të cilat edhe pasqyrimi i disa momenteve lirike, të cilat artisti i merr nga jeta e tij e përditshme, në mesin e familjes, etj.

“Temat e koleksionit nisin dhe zhvillohen në mbështetje të ngjarjeve të së shkuarës, fëmijërisë së artistit, janë reminishenca të asaj kohe, por që natyrshëm pasqyrohen në veprat e artit nga një artist i mirëinformuar dhe mirëedukuar me artet moderne”, tha Varvarica.

Në çeljen e ekspozitës, i pranishëm ishte edhe Kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili  duke përshëndetur këtë inciativë e cilësoi piktorin Mulliqi si kollos të veprave të artit dhe kurorë të kulturës shqiptare.

“Muslim Mulliqi në jetën e tij relativisht të shkurtër ja doli të përfaqësojë gjininë krijuese të kombit tonë në mënyrën më të arirë dhe dinjitoze”, tha Berisha.

Të pranishëm në çeljen e ekspozitës “Vepra 1970-1990” ishin: Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës Memli Krasniqi, zv/ministrja e MTKRS-së Suzana Turku dhe shumë artistë.

Koleksioni që do të ekspozohet në GKA deri në 30 prill është pjesë e koleksionit të madh të krijimtarisë së Muslim Mulliqit nga viti 1970-1990 dhe ka si cikle kryesore: “Legjenda baritore”, “Kokat e malësorëve”, “Kullat”, “Familja” dhe “Vorbulla”.

Në disa prej pikturave të Mulliqit dominon ngjyra e kuqe, portokalli, violeta apo bluja, që sipas kuratores Suzana Varvarica pasqyrojnë frikën, stuhitë, rrënimet dhe vorbullat e popullit të tij, pasi ato piktura janë pjesë e tematikës që lidhet me Luftën e Dytë Botërore dhe fillimin e përpjekjeve të popullsisë shqiptare të Kosovës për pavarësi.

Veprat e artistit, të stilit figurativ ekspresionist, trajtojnë ambientin kosovar, por ai tejkalon sfondin territorial lokal dhe kërkon universalen dhe lirinë e shprehjes artistike.

Suzana Varvarica tha se Mulliqi me kalimin e kohës figurat i bëri nga tokësore në fluturuese dhe inspironte në to lirinë dhe jepte një mesazh për të kërkuar hapësira të reja. Kjo shprehet mjaft mirë në ciklin e tij të fundit “Pushtimi i hapësirave të reja”.

Muslim Mulliqi, i cilësuar si pioner i artit modernist në hapësirat shqiptare, në pikturat e tij ka si element të rëndësishëm kokat, të cilat, sipas kuratores Varvarica, përcjellin ankthin, mallin, pritjen dhe shikimin jashtë dritareve.

“Artisti veçon gjithshtu kullat, që janë në formën e personazheve të kompozuara me figura njerëzore dhe që janë një nga elementë më të rëndësishëm të krijimtarisë në vitet ’80 dhe që për artistin përfaqësojnë atdheun, vendlindjen Gjakovën”, tha Varvarica për ATSH-në.

Muslim Mulliqi u lind në Gjakovë më 1934 dhe u largua nga jeta më 1998, në Prishtinë. Ndoqi shkollën e Mesme të Arteve të Aplikuara në Pejë deri më 1951, më tej Akademinë e Arteve Figurative në Beograd, ku u diplomua më 1959 dhe studimet pasuniversitare në Greqi e Paris. Në vitin 1962 themeloi Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë, ku u emërua profesor dhe dekani i parë i saj. Ai krijoi për 40 vjet, nga viti 1960 deri në fund të jetës, ndërkohë që Galeria e Arteve të Kosovës çel një ekspozitë të përvitshme me emrin e tij.

 

]