Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 14:23

Tiranë – Për herë të fundit e kemi parë të interpretojë në dramën “Filumena Marturano” në Teatrin Kombëtar, ndërkohë në fund të këtij muaji Tinka Kurti do t’i rikthehet skenës, kësaj here asaj të Teatrit “Bylis” të Fierit.

Aktorja do të luajë në komedinë tragjike “Vizita e Damës Plakë” të Dyrenmat nën regjinë e Kiço Londos. Kurti do të interpretojë personazhin e Klerit që e dëbuan shumë të re nga qyteti i Gylenit, i cili e mirëpret me ceremoni tani që është bërë një damë plakë. Por, ajo kërkon vetëm hakmarrje për mënyrën sesi njerëzit e këtij qyteti janë sjellë me të vite e vite më parë.

“Damën plakë unë e luaj për herë të parë dhe besoj që roli do të dalë mirë. Ndjehem mirë me rolin dhe është një përjetim ndryshe”, ka deklaruar aktorja për mediat.

Shfaqja ka përfunduar provat në tavolinë, dhe ka filluar ato në skenë, për t’u shfaqur më pas premierë në fundjavën e fundit të muajit prill. Në roltë të tjera interpretojnë aktorët: Myzafer Zifla, Astrit Hasani, Deshmir Halitaj, Marvin Tafaj, Miola Sitaj, Dori Çaushi, Shpëtim Shehu, Hasan Bregu, Klajdi Marku, Todi Llupi, Dafina Llupi dhe Eni Celibashi.

Vepra ngre pikëpyetjen nëse është e mundur të blihet drejtësia në njërën anë dhe në anën tjetër nëse vrasja dhe hakmarrja personale mund ta çojnë drejtësinë në vend. Fuqia e dramës qëndron veçanërisht në skemën, e mundësisë së dhënies së drejtesisë për një milion dollar.

“Vizita e Damës Plakë” e pati premierën në Zyrih në vitin 1956. Dyrenmat ishte 35 vjeç në atë kohë, dhe vënia në skenë e dramës i siguroi atij njohje të menjëhershme ndërkombëtare, duke i atribuuar reputacionin e dramaturgut.

Kjo është shfaqja e dytë e Kiço Londos në “Bylis” të Fierit pas komedisë “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka”, premierë në muajin mars.