Lajme Shqip Tuesday, 11 December 2012 15:00

Prishtinë – Pesë koncerte përbëjnë kalendarin e jubileut të parë të festivalit ndërkombëtar “Tingujt e Flautit”. I pari do të nisë nesër, ndërsa i fundit do të jepet në ditën e fundit të kësaj jave.

Është Elina Duni, artistja e njohur shqiptare me famë botërore ajo që do të mbyllë festivalin. Mysafir i kuartetit të saj në instrument frymor është Shaqir Hoti.

Ermira Çitaku, drejtoreshë e shoqatës pёr art “Fryma e Re”, e cila organizon këtë festival, ka thënë se Duni është veçantia e edicionit të sivjetmë. Ky është edicioni i gjashtë i festivalit, i cili kur ka nisur ka pasur synim që të organizohet çdo dy vjet. Çitaku ka thënë se, meqë sivjet është dhjetëvjetori i themelimit të Festivalit, nuk kanë mundur të lërë pa e shënuar.

“Ndonëse kemi pasur ‘Tingujt e Flautit’ edhe vitin e kaluar, meqë po përmbushim një dekadë punë, mblodhëm forcat i gjithë ekipi dhe vendosëm të organizojmë edhe sivjet”, ka thënë Çitaku.

Kuarteti i Elina Dunit ka qenë edhe më parë në kryeqytetin kosovar, por kjo është hera e parë që ajo performon në “Tingujt e Flautit”. Promovimi i albumit të saj, “Matanë malit”, i cili po bëhet në gjithë botën është bërë shkak për këtë.

“Është fat për ne që ajo po e promovon albumin e saj pikërisht në festivalin tonë, në kohën kur këtë po e bën edhe në shumë vende të botës”, ka thënë Çitaku. “Jemi shumë të nderuar për këtë gjë”, ka shtuar ajo. Teatri Kombëtar i Kosovës do të jetë nikoqir i perfomrcës së Dunit, të dielën e 16 dhjetorit.

E koncerti i të mërkurës do të jetë i dedikuar për artistë vendas. Në aallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, sopranoja Jeta Çitaku, tenori Luan Durmishi, flautistja Erëmira Çitaku, Amanta Istrefi në violonçel dhe Pranvera Hoxha në piano do të jenë pesëshja e artistëve që do të interpretojnë vepra të kompozitorëve kosovarë dhe botërorë.

César Franck, Jules Massenet, Vincenzo Bellini, Carl Reinecke, Giuseppe Verdi si dhe Limos Dizdari, Simon Gjoni, Çesk Zadeja e Kushtrim Gashi janë disa nga kompozitorët, veprat e të cilëve do të interpretohen aty.

Një aventurë origjinale në xhaz, blues dhe punkrock nga Solanas, që vjen nga Belgjika është koncerti i një dite më vonë. Edhe dy koncerte të tjera të muzikës klasike përthekojnë edicionin e gjashtë të festivalit.Çitaku ka thënë se nuk ka qenë e lehtë që ky festival të mbetet gjallë në këtë dekadë. “Çdo vit ka pasur probleme të ndryshme, por gjithmonë kemi arritur që të kemi përafërsisht atë që kemi kërkuar, kështu që ia kemi dalë”, ka thënë ajo.(LajmeShqip.com)