Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 16:20

Tiranë – Tirana International Film Festival vazhdon edhe sot projeksionin e filmave në ditën e tij të dytë.

Në Kinema Imperial u shfaqën paraditen e sotme 8 filmat me metrazh të shkurtër, pjesa më e madhe e të cilave të kategorisë fiction. Gjatë ditës së sotme, nga filmat me metrazh të gjatë të programit, do të shfaqet filmi tajlandez “Mindfulness dhe murder”, ndërkohë që në ekranin e Imperial do të shfaqet edhe filmi me metrazh të shkurtër i Festivalit të Filmit 48 Orëshi, “The Twins”.

Drejtori i festivalit, Ilir Budka është shprehur se TIFF, këtë vit, vjen me një buxhet zero. “Do ta realizonim festivalin edhe në shesh, në shi apo në ndonjë magazinë, pasi nuk mund të refuzoheshin 500 filmat që kishin aplikuar duke sjellë prurjet e tyre nga 63 shtete të botës”, është shprehur Butka.

Francsko Acone, njëri prej anëtarëve të jurisë së këtij festivali ka thënë dje, në ditën e parë të festivalit, se TIFF është një festival serioz, sipas tij, këtë e vërteton edhe pjesëmarrja e filmave.

Pasditja në TIFF do të vazhdojë me filmat me metrazh të shkurtër nga Italia, Estonia, Spanja, Gjermania, USA, etj, si dhe me filmin me metrazh të gjatë “Maternity Blues”, një prodhim kinematografik italian. Pjesë e programit special, mbrëmjen e sotme do të jetë filmi “Salome”, me regji të Carmelo Benes. TIFF do të vazhdojë shfaqjen e filmave deri në datën 10 dhjetor, kur do të jetë edhe nata finale e ndarjes së çmimeve.