Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 16:20

Tiranë – Tirana International Film Festival ka filluar paraditen e sotme shfaqjen e filmave, në garë për çmimet e festivalit, që do të ndahen mbrëmjen e 10 dhjetorit.

Pas ceremonisë çelëse të edicionit të nëntë të TIFF, në sallën e Kinema Imperial, tek Qëndra Kristal, u shfaqën 11 filmat e parë me metrazh të shkurtër. Prodhimet kinematografike  të ditës së sotme i përkisnin shteteve si Austria, Koreja e Jugut, Rumania, Spanja, Kuba, Italia, etj, pjesa më e madhe e të cilëve të kategorive fiction, dokumentar, eksperimental, por edhe animacion.

Në program është parashikuar që pasdite të shfaqet filmi i regjisorit italian Carmelo Bene “Hermitage”, pjesë e programit special të TIFF. Në mbrëmje do të shfaqet filmi i parë i kategorisë së filmave me metrazh të gjatë, dokumentari “Punk’s not dead”, një film nga Maqedonia.

Juria për filmin me metrazh të gjatë përbëhet nga Dhimitër Anagnosti, Elvira Diamanti, Ettore Sequi dhe Massimiliano Nardulli. Në jurinë për kompeticionin e filmave shqiptarë bëjnë pjesë Zamir Kokonozi, Iris Elezi dhe Andi Deliana, në atë të filmit të shkurtër bëjnë pjesë Francesco Acone, Lorenzo Vingolo dhe Kujtim Çashku. Ndërsa në jurinë e medias anëtarë janë Mirjeta Baraliu, Mira Tuçi dhe Alfred Lela.

Shfaqja e filmave do të vazhdojë ditën e nesërme, ora 10:30, për të vazhduar deri në mbrëmje. Këtë vit janë rreth 100 filma nga 60 shtete, ndërkohë që Shqipëria do të konkurrojë me kinemanë botërore me 17 filma, 4 prej të cilëve janë nga Kosova e që do të jenë të kategorive art, dokumentar e të animuar.

Në këtë edicion publiku shqiptar do të ketë mundësi të shikojë filma nga shtete që kanë qenë pjesë e TIFF që në fillim të tij si Anglia, Gjermania, Spanja, Rumania, Finlanda, etj. Ndërkohë që risi është pjesëmarrja e filmave nga Kuba.

“Mendojmë ndryshe, shohim njësoj” vazhdon të jetë edhe këtë vit slogani që përfaqëson konceptin e festivalit më të vjetër ndërkombëtar të filmit në Shqipëri.