Lajme Shqip Sunday, 17 April 2011 07:59

Tetovë – Mbrëmjen e së enjtes në restorant “Arra” në Tetovë, është bërë promovimi i tre librave të autorit Bekim Ramadani.

“Këngë të zgjedhura korale”, “Kush këndon keq s’mendon”, dhe “Asgjë nga balta e fjalëve”, janë tre titujt e veprave që, për nga qasja, koncepti dhe ndërtimi konsiderohen të rralla jo vetëm brenda nënqiellit tonë por edhe më gjerë.

Janë këto tre përmbledhje këngësh korale kryesisht shqiptare, por ka edhe të etnikumeve përreth. Bekim Ramadani thotë se ka përzgjedhur krijimet më të bukura, përpunimet e dala nga motivet më të njohura popullore. Sipas tij, këto kompozicione paraqesin një trashëgimi të vërtetë kulturore. Promotorë të kësaj ceremonie ishin prof. Roland Çene nga Tirana dhe Maestro Ivica Zoriq nga Tetova. Udhëheqës i programit ka qenë Xhevdet Vejseli, ndërsa performuan Shkëlzen Baftiari në piano, Besiana Mehmedi-mezzo soprano, Shkodran Tolaj-tenor, kuarteti harkor nga Shkupi, si dhe kori i vajzave “Menada” që interpretoi në pesë gjuhë të ndryshme, këngë korale nga librat e autorit Bekim Ramadani. Para adhuruesve të shumtë të librit, dashamirëve të artit, profesorëve, muzikantëve, akademikëve nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia u paraqitën edhe ca sekuenca filmike në lidhje me këto botime, pastaj në foltore doli edhe profesoresha Zana nga Tirana, vajza e të madhit Dhimitër Shuteriqi, e cila përgëzoi me respektin më të madh, ish studentin e saj-Bekimin duke i uruar suksese në punën akademike.

I fundit u paraqit edhe vetë autori i cili ka thënë se këngët nga këto vepra, “na takojnë të gjithëve sepse vetë arti muzikor është i tillë”. “Muzika është një lëmi universale, ajo nuk njeh kufij, pastaj gjuha e muzikës është një dhe ajo quhet – gjuhë muzikore”, ka thënë Ramadani. Bekim Ramadani ka diplomuar në “Fakultetin e Muzikës” të Universitetit Shtetëror të Tetovës në lëndën e “Formave muzikore” te dirigjenti i njohur – maestro Tomisllav Shopov. Studimet postdiplomike i ka ndjekur me shumë sukses në “Akademinë e Arteve të Bukura” në Tiranë, në klasën e Prof. Dr. Fatmir Hysit ku mori titullin – Magjistër i Muzikologjisë. Ka punuar si mësimdhënës në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, pastaj një kohë në “Universitetin AAB” në Prishtinë, kurse tani është në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” të Tetovës ku me sukses udhëheq edhe korin e vajzave.