Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 07:33

Tetovë – Javën që shkoi, në Bursë të Turqisë është mbajt Festivali folklorik ndërkombëtar “Karagjozi i artë”. Në këtë festival me renome botërore, i cili mbahet 25 vjet me radhë,  këtë vit me ndërmjetësimin e OH “El Hilal” ishte ftuar dhe mori pjesë edhe SHKA “Jehona e Malësisë së Sharrit” nga Tetova.

Në një konkurrencë garuese të ansambleve prej 35 shteteve të ndryshme, duke filluar nga Kanadaja deri te Indonezia, ansambli nga Tetova arriti deri në gjysmë finale, me çka edhe njëherë dëshmoi se po e prezanton denjësisht folklorin dhe etnosin shqiptar. Pas qëndrimit 10 ditor në Bursë, anëtarët e “Jehonës së Malësisë së Sharrit” kishin rast të vizitojnë monumentet kulturore-historike në këtë qytet të bukur, ku jetojnë një numër i madh i qytetarëve të Turqisë me prejardhje shqiptare. Ata patën rastin të njihen dhe të këmbejnë mendime me mërgimtarët tanë. Në hapjen e festivalit, ditën e parë defiluan të gjitha ansamblet nga bota në Teatrin e hapur të qytetit të Bursës, ku ishin prezent edhe valiu i Bursës dhe kryetari i qytetit, Rexhep Alltepe, i cili i shoqëruar nga kryetari i “El Hilalit” dhe deputeti Behixhudin Shehapi, para prezantimit të tetovarëve, u takua me anëtarët e ansamblit, ku shprehu admirimin e tij për vlerat kombëtare dhe folklorike shqiptare. Kryetari i ansamblit “Jehona e malësisë së Sharrit”, Hajri Ismani, me këtë rast dorëzoi një mirënjohje dhe suvenir nga Tetova, duke falënderuar për ftesën dhe pjesëmarrjen e ansamblit të cilin e drejton në këtë festival shumë prestigjioz ndërkombëtar.